Ngrihet aktakuzë për vrasjen e Liridona Ademajt
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave për vrasjen e 30-vjeçares Liridona Ademaj në nëntor të vitit 2023, pas përfundimit të hetimeve.
Fillimisht, rasti ishte raportuar si “grabitje me pasoja të vrasjes”, por, dy ditë më vonë, Policia e Kosovës njoftoi se lidhur me rastin ka arrestuar dy persona. Në mesin e tyre ishte edhe bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli.
Murseli, me të cilin Liridona jetonte në Suedi dhe kishte dy fëmijë, është në mesin e të akuzuarve për vrasjen e saj. Tre të akuzuarit e tjerë janë Kushtrim Kokalla, Granit Plava dhe një person i katërt, emri i të cilit nuk u bë i ditur gjatë konferencës së Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
Prokurorja e rastit, Javorka Përlinçeviq, tha se nuk mund të japë shumë detaje rreth aktakuzës, por shtoi se, gjatë kohës që jetonin në Suedi, Liridona dhe Naimi kishin “marrëdhënie të trazuara martesore”, si pasojë e të cilave erdhën edhe problemet pronësore.
“Arsyet e tjera që kishte Naimi për të planifikuar dhe kryer këtë vrasje mund t’i mësoni në gjykatë kur të fillojë seanca kryesore”, tha Përlinçeviq, e cila tha se gjetja e motivit të vrasjes kishte bërë që procesi i ngritjes së aktakuzës të merrte më shumë kohë.
Ndërkohë, në konferencën e mbajtur për këtë rast, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, tha rasti ka qenë jashtëzakonisht i ndjeshëm dhe se janë zhvilluar hetime në shumë dimensione.
“Kjo vepër penale është vepra penale e vrasjes së rëndë e kryer nga anëtari i familjes dhe e kryer në mënyrë dinake, andaj si e tillë presim nga Gjykata një dënim kapital”, tha Gashi.
Pas konferencës, vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj, tha se ende nuk e kanë lexuar aktakuzën, por se shpreson që “sa më shpejt drejtësia të vijë në vendin e vet”.
Liridona Ademaj ishte vrarë në moshën 30-vjeçare, më 29 nëntor të 2023-tës, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.
Prokurorja e rastit tha gjatë konferencës së 15 janarit se Naim Murseli ka “planifikuar gjithçka”, ndërsa i quajti Murselin, Kokallën dhe Plavën “ekzekutues të drejtpërdrejtë” të Liridonës.
“Sa i përket ekzekutuesit të katërt, mendoj se nuk është etike të përmendet emri i tij, pasi ai nuk ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në kryerjen e veprës penale. Ai është përfshirë në këtë aktakuzë në një mënyrë të tërthortë dhe jo drejtpërdrejt në kryerjen e veprës penale”, tha Përlinçeviq.
Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar disa herë masën e paraburgimit tre të dyshuarve për vrasjen e saj, Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës – për herë të fundit më 27 dhjetor të vitit të kaluar.
Ndërsa, të akuzuarit të katërt në këtë rast, Gjykata Supreme ia kishte ndërprerë masën e paraburgimit, duke ia mundësuar të mbrohet në liri. Ai ishte arrestuar më 9 dhjetor, nën dyshimin se ia kishte shitur armën dorasit.
Familja e Liridonës kishte kërkuar rivarrosjen e trupit të saj në pranë varrezave të prindërve të saj, ndërsa aktivistët për të drejtat e grave kanë kërkuar që Liridona të mos identifikohej më me mbiemrin e bashkëshortit, por me atë të familjes së saj, Ademaj.
Zemërim të madh kishte shkaktur edhe fakti që burri i saj kishte qenë pjesë e ceremonisë së varimit.
Rasti i vrasjes së 30-vjeçares, nënë e dy fëmijëve, është dënuar rëndë në Kosovë dhe liderët politikë të vendit kanë kërkuar drejtësi për rastin e saj.
Nga viti 2010 deri më tani në Kosovë janë vrarë rreth 60 gra. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët.
Sipas organizatave që merren me të drejtat e grave, mesazhe “trimëruese” dorasëve është duke u dërguar sistemi i drejtësisë në Kosovë me, siç thuhet, “dënimet e lehta”.
Në Kosovë, rastet e dhunës në familje mund të raportohen në numrin 0800 19 999.
Linja telefonike e Mbrojtësve të Viktimave është 0800 11 112.
Numri i Policisë së Kosovës është 192./REL
Fraksion.com