Nënshkruhet marrëveshja, Shqipëria, Emiratet Arabe dhe Italia aleancë strategjike për energjinë e rinovueshme
Shqipëria, Emiratet Arabe dhe Italia bashkohen në një aleancë strategjike për energjinë e rinovueshme.
U nënshkrua sot në Emiratet e Bashkuara Arabe, marrëveshja e investimit për lidhjen nënujore të rrjetit të shpërndarjes së energjisë me Italinë në detin Adriatik, si edhe për investimet në rritjen e prodhimit nga burimet e rinovueshme në Shqipëri, ndërmjet, Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, Qeverisë së Republikës së Italisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe.
Marrëveshja, e cila për palën shqiptare u nënshkrua nga zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, bashkon vendet në një aleancë strategjike për energjinë e rinovueshme.
Marrëveshja u nënshkrua nga Sultan Al Jaber, ministër i Industrisë dhe Teknologjisë së Avancuar të UAE dhe kryetar i Masdar si dhe Gilberto Pichetto Fratin, ministër italian i Mjedisit dhe Sigurisë Energjetike.
Më herët, gjatë fjalës së tij në samit, Kryeministri tha se marrëveshja do të shërbejë për të rritur kapacitetin e Shqipërisë si një lojtar kyç në rajon, mbështetur në prodhimin e saj me 100 % energji të ripërtëritshme.
Në ceremoninë e nënshkrimit ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni, Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe Sheikh Mohamed bin Zayed, si dhe përfqësues të qeverive të vendeve përkatëse
Marrëveshja u nënshkrua në Abu Dhabi, në kuadër të eventeve të Javës së Qëndrueshmërisë së Abu Dhabit 2025, (Abu Dhabi Sustainability Week (ADSW).
ADSW është një platformë globale, e mbështetur nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe lideri i saj i energjisë së pastër, Masdar, për të adresuar sfidat më emergjente të qëndrueshmërisë në botë, përmes diskutimeve të përbashkëta mes vendeve, që përshpejtojnë zhvillimin e përgjegjshëm dhe nxisin përparimin gjithëpërfshirës ekonomik, social dhe mjedisor.
Fraksion.com