AktualitetBota+Life StyleTë fundit

Musk dërgon Cybertruck Tesla dhe Internet falas në Los Angeles

Pas kritikave ndaj reagimit të autoriteteve lokale dhe shtetërore ndaj zjarreve në Los Angeles, Elon Musk ka ndërmarrë një iniciativë të re për të ndihmuar zonat më të prekura. Përmes platformës së tij sociale, X (ish-Twitter), ai njoftoi dërgimin e një konvoji me Cybertruck Tesla, të pajisur me teknologjinë Starlink dhe Wi-Fi falas, në zonat e prekura si Los Angeles dhe Malibu.

“Do të vendosim Cybertruck në formë rrjeti për të siguruar lidhje interneti në zonat më të goditura të metropolit,” shkroi Musk në një postim.

Zjarret, që nisën të martën e kaluar, kanë shkaktuar shkatërrime masive dhe reagimi i autoriteteve ka qenë një temë e nxehtë debati. Musk ka përdorur platformën e tij për të shprehur kritika ndaj politikave të diversitetit, emigrantëve dhe guvernatorit demokrat të Kalifornisë, Gavin Newsom, duke nxitur debat publik.

Megjithatë, dje ai ndryshoi qasje duke treguar një anë më të përkushtuar ndaj ndihmës. Përveç shpërndarjes së pajisjeve dhe burimeve nga kompanitë e tij Tesla dhe SpaceX, Musk ka vizituar zjarrfikësit dhe ekipet e shpëtimit për t’i falënderuar për punën e tyre.

 

Fraksion.com