Marrëveshje Shqipëri-Itali-Emiratet Arabe për linjën nënujore, Rama: Gur kilometrik drejt pavarësisë energjetike
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Abu Dabi me ftesë të Presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe ku sot së bashku me kryeministren e Italisë do të nënshkruajë marrëveshje trilaterale për lidhjen nënujore energjetike mes Shqipërisë dhe Italisë si dhe rritjen e prodhimit të energjisë diellore në Shqipëri.
Në një video mesazh në rrjetet sociale, Rama shprehet se lidhja do të ketë një pronësi të trefishtë e nga ana tjetër do të mbështetet nga investimet domethënëse të përbashkëta në rritjen e kapaciteteve prodhuese të Shqipërisë.
Ai e konsideron këtë marrëveshje si një tjetër gur kilometrik në rrugën drejt pavarësisë energjetike.
“Kjo shkon edhe në funksion të ambicies tonë për t’u bërë të pavarur nga importi, por na jep edhe një rol së shpejti si eksportues në Bashkimin Europian. Shqipëria është sot vendi me kapacitetin më të lartë të vetëprodhuesve familjarë apo biznes nga energjia diellore në rajon”, thekson kreu i qeverisë.
Ai shton se energjia e prodhuar nga dielli ka kaluar nga 0% në afro 10% të prodhimit tonë të brendshëm energjetik dhe plani jonë është të arrijmë në 30% brenda mandatit tonë të katërt.
“Shqipëri ishte i vetmi vend në rajon që nuk e rriti çmimin e energjisë elektrike gjatë krizës europiane 2021-2023 dhe që nga data 1 shkurt Shqipëria do të bëhet zyrtarisht i vetmi vend që do të ulë çmimin e energjisë, jo pak por 10.5%. Në këtë masë që rentabilizon në funksion të mbi 1 milion konsumatorëve arritjet e deriktushme të reformës rrënjësore dhe investimeve domethënëse në sektorin e energjisë, ne bëhemi ndër vendet më çmimin më të ulët në Europë dhe nga më të ultit në rajon si dhe u kursejmë qytetarëve tanë 31 milionë euro në vit nga fatura e energjisë elektrike”, theksoi Kryeministri Rama nga Abiu Dabi.
Kryeministri Edi Rama udhëtoi dje drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, në kuadër të pjesëmarrjes në eventet e Javës së Qëndrueshmërisë së Abu Dhabit 2025, (Abu Dhabi Sustainability Week (ADSW), një platformë globale, e mbështetur nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe lideri i saj i energjisë së pastër, Masdar, për të adresuar sfidat më emergjente të qëndrueshmërisë në botë, përmes diskutimeve të përbashkëta mes vendeve, që përshpejtojnë zhvillimin e përgjegjshëm dhe nxisin përparimin gjithëpërfshirës ekonomik, social dhe mjedisor.
Për më shumë se 15 vjet, ADSW ka bërë bashkë vendimmarrës nga qeveritë, sektori privat dhe shoqëria civile për të çuar përpara axhendën globale të qëndrueshmërisë përmes dialogut, bashkëpunimit ndërsektorial dhe zgjidhjeve me ndikim.
Rama mori pjesë në pritjen zyrtare të ADSW, me pjesëmarrjen e krerëve të shteteve dhe liderëve botërorë, politikëbërësve të lartë dhe specialistëve të industrisë, dhe në mbrëmjen gala të Çmimit Zayed Sustainability, një çmim që nderon trashëgiminë humanitare dhe të qëndrueshme të babait themelues të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Zayed bin Sultan Al Nahyan, që u akordohet ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, organizatave jofitimprurëse dhe shkollave të mesme globale me zgjidhje të qëndrueshme ndikuese, inovative dhe frymëzuese. Deri më sot janë nderuar me këtë çmim 117 fitues, nëpërmjet të cilëve tyre është transformuar jeta e 384 milionë njerëzve.
Ndërsa sot Kryeministri Rama dhe delegacioni që e shoqëron do të marrë pjesë në Sesionin plenar me temë “Fuqizimi i Progresit të Qëndrueshëm”, dhe më pas në ceremoninë e nënshkrimit të disa marrëveshjeve mes vendeve si: “Korniza e partneritetit strategjik trepalësh për energjinë dhe infrastrukturën” e lidhur ndërmjet, Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, Qeverisë së Republikës Italiane dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, si dhe marrëveshje të tjera dypalëshe mes qeverisë shqiptare dhe qeverisë së Emirateve të Bashkuara, në fushën e bujqësisë dhe të financave.
Fraksion.com