Kryebashkiaku i Kolonjës, Erion Isai del nga SPAK: U thirra si person që ka dijeni
Kryetari i bashkisë së Kolonjës, Erion Isai u paraqit ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Pasi doli nga SPAK ku qëndroi për rreth një orë, Isai tha se ishte thirrur si person që ka dijeni për një çështje dhe se nuk kishte lidhje me tenderat e bashkisë që ai drejton.
“Është një ngjarje e vjetër, nuk ka lidhje me tenderat e bashkisë. Kam qenë i thirrur si person në dijeni për një ngjarje. Nuk ka lidhje me krimet zgjedhore, a lidhje me një ngjarje konkrete të para shumë kohëve, ku Bashkia nuk ka qenë e përfshirë me tender publik të drejtpërdrejtë, por si institucion që bashkëpunon dhe ka dijeni”, tha Isai.
Isai nuk specifikoi se për çfarë kallëzimi bëhet fjalë apo për cilën çështje.
“I takon prokurorisë se kë po heton, unë jam pyetur si person që ka dijeni. Hetuesit ishin në humor, pse të mos jenë në humor. Ishte hera e parë në Prokurori, ishte këndshëm”, tha Isai.
Fraksion.com