Kosova mbyll institucione paralele serbe në dhjetë komuna
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se në mëngjesin e së mërkurës janë mbyllur komuna paralele të Serbisë, si dhe posta e zyra tatimore në dhjetë komuna të ndryshme të vendit.
Aksionet policore u ndërmorën në komunën e Lipjanit, Obiliqit, Prishtinës, Fushë Kosovës, Vushtrrisë, Novobërdës, Kamenicës, Vitisë, Rahovecit dhe Skënderajt.
“Me aksion të përbashkët, përfundon epoka e komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës”, thuhet në postimin e Sveçlës në rrjetet sociale.
Në videon e publikuar nga ai, u pa edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, duke thënë se “nga sot, 28 komunat paralele, kriminale të Serbisë në Kosovë dhe pesë qarqet e tyre mbyllen përfundimisht”.
Autoritetet në Kosovë thonë se puna e këtyre institucioneve serbe, që ishin në funksion që nga paslufta më 1999, është “e paligjshme”, dhe nisën mbylljen e tyre qysh në fillim të vitit të kaluar.
Kosova do t’i mbajë zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt dhe është në mes të fushatës elektorale.
Lisa Serbe – partia më e madhe e serbëve në vend – paralajmëroi se do të mbajë një mbledhje dhe adresim për mediat gjatë ditës.
Në Serbi, kryeministri Millosh Vuçeviq tha se “zhvillimi i situatës” në Kosovë po ndiqet me kujdes.
“Do t’i ndërmarrim të gjitha masat për ta mbrojtur popullsinë serbe nga sulmet e reja të Albin Kurtit [kryeministër i Kosovës], i cili, mesa duket, fushatën e tij parazgjedhore e ka shndërruar në vazhdim të keqtrajtimit të popullit tonë”, tha Vuçeviq.
Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq, e cilësoi aksionin e fundit të autoriteteve të Kosovës si një “përshkallëzim të rrezikshëm”.
“Këto lëvizje agresive nuk janë vetëm sulm ndaj institucioneve, por edhe përpjekje e hapur për t’i minuar të drejtat kolektive dhe identitetin e serbëve në Kosovë”, shkroi Gjuriq në rrjetet sociale.
Ai tha se komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të heshtë, por “t’i mbrojë të drejtat e serbëve në Kosovë”.
Edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq – i cili ndodhet në Bruksel për takimin e parë të Komisionit të përbashkët Kosovë-Serbi për të pagjeturit – e cilësoi aksionin si “sulm” dhe tha se “një terror i tillë vë në pikëpyetje vetë dialogun”.
“Është e qartë përse [kryenegociatori i Kosovës, Besnik] Bislimi nuk u paraqit sot në Bruksel. Me delegacionin e Beogradit erdha me qëllim që sot të trajtojmë çështjen e personave të zhdukur, ndërsa Kurti dhe Prishtina zgjodhën rrugën e dhunës dhe të veprimeve të njëanshme”, shkroi Petkoviq në rrjetet sociale.
Radio Evropa e Lirë raportoi më herët se Policia e Kosovës ka hyrë në Postën e Serbisë në Graçanicë dhe në komunën paralele të Prishtinës, e cila që nga paslufta funksionon gjithashtu në Graçanicë.
Para ndërtesës së Postës së Serbisë u vendos një shirit i verdhë dhe gazetarët e Radios Evropa e Lirë raportojnë se, aktualisht, zyrtarë të policisë ndodhen brenda këtyre dy institucioneve, ndërsa punonjësit e tyre janë duke u larguar nga objektet.
Policia e Kosovës tha se drejtoritë rajonale të Prishtinës, Gjilanit, Gjakovës dhe Mitrovicës së Jugut janë duke zhvilluar operacione policore, por nuk konfirmoi se për çfarë operacionesh bëhet fjalë.
“Pas përfundimit të operacionit policor, do të bëhen publike informacione shtesë”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për REL-in.
Degë të tjera të Postës së Serbisë ishin mbyllur edhe në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, më 5 gusht të vitit të kaluar.
Ky veprim u kritikua nga BE-ja dhe SHBA-ja, që atëkohë u shprehën “thellësisht të zhgënjyera” dhe e cilësuan aksionin si “të njëanshëm dhe të pakoordinuar”.
Edhe shumë institucione të tjera serbe u mbyllën në aksione të ngjashme të Policisë së Kosovës vitin e kaluar dhe në fillim të këtij viti.
Megjithatë, Radio Evropa e Lirë raportoi së voni se puna e tyre vazhdon, përkundër mbylljes.
Cilat institucione u mbyllën?
Policia e Kosovës mbylli më 8 janar Administratën Tatimore në Mitrovicën e Veriut, e cila funksiononte në kuadër të sistemit të Serbisë, për shkak të, siç u tha, “aktiviteteve të paligjshme”, si dhe kompaninë e sigurimeve nga Serbia “Dunav Osiguranje”, për shkak të dyshimeve se punonte pa licencë.
Kosova nisi mbylljen e institucioneve serbe qysh në janar të vitit 2024, duke ua vënë fillimisht drynin organeve të përkohshme komunale të Dragashit, Suharekës, Prizrenit dhe Rahovecit, të cilat gjendeshin në jug të lumit Ibër.
Pastaj u mbyllën organet e përkohshme komunale të Pejës, Istogut, Klinës, Skenderajt, si dhe ato në komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Ndërkohë u mbyllën edhe degët e Postës së Serbisë në veri të Kosovës, kasaforta e Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviq, Banka Kursimorja e Postës, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ Kosovë-Mitrovicë dhe Qendra për Punë Sociale në Vushtrri.
Të gjitha këto institucione me mijëra punëtorë funksiononin në sistemin e Serbisë./REL
Fraksion.com