E enjte, 16 Janar, 2025
Latest:
AktualitetBota+Të fundit

Izraeli dhe Hamasi arrijnë marrëveshje për armëpushim dhe pengje

Izraeli dhe Hamasi kanë arritur marrëveshje të mërkurën për ndaljen e luftimeve në Rripin e Gazës dhe për këmbimin e pengjeve izraelite me të burgosur palestinezë.

Presidenti amerikan në shkuarje, Joe Biden, tha në një komunikatë se marrëveshja për armëpushim dhe lirimin e pengjeve izraelite do t’u japë fund luftimeve 15-mujore në Gazë, si dhe do ta mundësojë rritjen e ndihmave humanitare për civilët palestinezë.

“Ky është rezultat jo vetëm i trysnisë ekstreme me të cilën është përballur Hamasi, dhe ndryshimeve në rajon pas një armëpushimi në Liban dhe dobësimit të Iranit – por edhe i diplomacisë së palodhshme dhe të mundimshme amerikane. Diplomacia ime nuk ka pushuar asnjëherë në përpjekjet për ta arritur këtë”, tha Biden.

Biden tha se armëpushimi gjashtëjavor do të mundësojë negociata për të arritur një fund të përhershëm të luftës. Ai shtoi se, nëse negociatat do të zgjasin më shumë se gjashtë javë, armëpushimi do të vazhdojë për aq kohë sa bisedimet do të vazhdojnë.

Biden theksoi se administrata e tij ka negociuar marrëveshjen, por ekipi i presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, do të ngarkohet së shpejti me detyrë e mbikëqyrjes së zbatimit të saj. Dërguari i Trumpit për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, ishte bashkuar me këshilltarin e Lindjes së Mesme të Shtëpisë së Bardhë, Brett McGurk, për finalizimin e negociatat në Doha.

“Në ditët e fundit, ne kemi folur si një ekip i vetëm”, tha Biden.

Kryeministri i Katarit Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, njoftoi se marrëveshja do të hyjë në fuqi më 19 janar.

Më herët, zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se marrëveshja për armëpushim me Hamasin nuk është arritur ende dhe se është duke u vendosur për hollësitë e fundit të saj.

Në një komunikatë, ajo tha se shpreson se “hollësitë do të zgjidhen në orët në vijim”.

Hamasi – i cili është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – nuk është deklaruar ende.

Çfarë dihet për marrëveshjen?

Hollësitë e marrëveshjes ende nuk janë bërë të ditura zyrtarisht, por ka një pasqyrë të asaj se si do të duket ajo sipas komenteve të zyrtarëve dhe raportimeve në media bazuar në draftet e rrjedhura të marrëveshjes.

Në fazën e parë do të nisë një armëpushim gjashtëjavor, gjatë të cilit trupat izraelite do të tërhiqen dalëngadalë nga qendra e Gazës.

Gjatë kësaj faze, Hamasi do t’i lirojë 33 pengje – që pritet të jenë kryesisht gra, të moshuar dhe të sëmurë – në këmbim të palestinezëve të mbajtur në burgjet izraelite.

Disa pengje u liruan në nëntor 2023 në këmbim të 240 të burgosurve palestinezë. Hamas ende mban 94 pengje, por Izraeli beson se vetëm 60 prej tyre janë ende gjallë.

Palestinezët e zhvendosur si pasojë e luftës do të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre në fazën e parë të marrëveshjes, ndërsa ndihma humanitare do të fillojë të hyjë në enklavën e drejtuar nga Hamasi. Gati të gjithë 2.3 milionë banorët e Gazës u detyruan t’i braktisnin shtëpitë e tyre gjatë luftës.

Negociatat e mëtejshme për fazën e dytë dhe të tretë të marrëveshjes do të fillojnë në ditën e 16-të të zbatimit të marrëveshjes, dhe analistët thonë se kjo mund të jetë sfida e parë e vërtetë për jetëgjatësinë e armëpushimit.

Faza e dytë e marrëveshjes përfshin lirimin e pengjeve të mbetura dhe, më e rëndësishmja, përfundimin e luftës.

“Ka shumë pasiguri nëse Izraeli është i angazhuar për një fund të përhershëm të konfliktit”, tha Michael Horoëitz, kreu i inteligjencës në konsulencën Le Beck International, me bazë në Bahrein.

Lufta në Gazë filloi kur militantët e udhëhequr nga Hamasi thyen mbrojtjet kufitare dhe u futën në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyen rreth 250 të tjerë.

Prej atëherë, lufta e Izraelit i ka vrarë mbi 46.000 palestinezë në Gazë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Marrëveshja pason muaj negociatash me ndërprerje, të cilat u ndërmjetësuan nga Egjipti dhe Katari, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, dhe u arrit pak para inaugurimit të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, më 20 janar.

Në prag të marrjes së detyrës zyrtarisht, Trumpi e ka përsëritur kërkesën e tij që marrëveshja të arrihet shpejt, duke paralajmëruar vazhdimisht se do të kishte “pasoja të rënda” nëse pengjet nuk do të liroheshin.

I dërguari i tij për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, bashkëpunoi me ekipin e presidentit në shkuarje, Joe Biden, për ta finalizuar marrëveshjen.

Në Izrael, kthimi i pengjeve mund të lehtësojë një pjesë të zemërimit publik ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe Qeverisë së tij të djathtë për dështimin e sigurisë më 7 tetor, që çoi në ditën më të përgjakshme në historinë e vendit.

Konflikti u përhap në të gjithë Lindjen e Mesme, me sulme ndaj Izraelit nga grupet e mbështetura nga Irani në Liban, Irak dhe Jemen, si shenjë solidariteti me palestinezët. Marrëveshja u arrit pasi Izraeli vrau drejtuesit kryesorë të Hamasit dhe grupit libanez, Hezbollah, duke siguruar një epërsi strategjike./REL

 


Fraksion.com