AktualitetPolitikëTë fundit

Begaj: Denoncimi i masakrës së Reçakut ndryshoi historinë e Kosovës

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përkujtoi sot ngjarjen e 26 viteve më parë të ndodhur në Reçak të Kosovës, ku forcat serbe sulmuan popullatën e pafajshme civile shqiptare, duke vrarë dhe masakruar 45 prej tyre.

Në këtë përvjetor të masakrës së Reçakut, presidenti Begaj nderoi viktimat dhe të gjithë shqiptarët që i rezistuan gjenocidin serb për lirinë e Kosovës.

Kreu i Shtetit njëkohësisht shprehu mirënjohje ndaj ambasadorit amerikan William G. Walker, shef i atëhershëm i verifikuesve të OSBE-së, i cili nga Reçaku i bëri të ditur botës krimin kundër njerëzimit në Kosovë.

“Denoncimi i kësaj masakre ndryshoi historinë e Kosovës dhe qasjen e komunitetit ndërkombëtar ndaj saj”, – shkruan Begaj në mesazhin e tij të shoqëruar me fotot e disa mediave të kohës, të cilat ndërkombëtarizuan faktet e gjenocidit serb në Kosovë.

“Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak të Kosovës, u ekzekutuan dhe masakruan barbarisht nga njësitë kriminale serbe 45 shqiptarë civilë të paarmatosur.

Denoncimi i kësaj masakre ndryshoi historinë e Kosovës dhe qasjen e komunitetit ndërkombëtar ndaj saj.

Lavdi përjetë burrave dhe grave të Kosovës, që qëndruan për lirinë e saj! Mirënjohje Ambasadorit amerikan William G. Walker, “Kalorës i Urdhrit të Flamurit!”, – shkruan Begaj.

 

Fraksion.com