Reshje dëbore në Shkodër, vijon pastrimi dhe kriposja e rrugëve
Akset rrugore të qarkut të Shkodrës janë të qarkullueshme me goma dimërore, ndërkohë që vijon puna për pastrimin dhe kriposjen e tyre.
Prefektja e qarkut të Shkodrës, Majlinda Angoni tha për ATSH-në se “nga bashkia Shkodër , deri në këto momente nuk raportohen probleme të Emergjencave Civile. Ndërsa njësia administrative Rrethija dhe Pult kanë probleme me furnizimin me energji elektrike”.
“Nga bashkia Malësi e Madhe deri në këto momente nuk raportohen probleme të Emergjencave Civile. Nga bashkia Vau Dejës informohemi se kemi probleme me furnizimin me energji elektrike. Kryesisht në njësinë administrative Temal dhe Shllak”, tha Angoni.
Sipas saj, nga bashkia Pukë deri në këto momente nuk raportohen probleme të Emergjencave Civile.
“Nga bashkia Fushë Arrëz informohemi se situata vazhdon të jetë problematike, me temperatura të ulëta dhe me era të fuqishme. Rruga Iballë vazhdon të jetë e bllokuar. Shkollat e njësisë administrative Qafë-Mali, Iballe, Blerim dhe Fierzë vazhdojnë të jenë të mbyllura edhe për ditën e sotme”, tha Angoni.
Drejtoria e Ujësjellës Kanalizimeve Lezhë informon se rrjeti i kullimit nuk ka probleme dhe hidrovoret janë në funksion e në gjendje gatishmërie.
Prej tre ditësh vendi ynë është përfshirë nga reshjet e dëborës në veri, qendër dhe zonën juglindore, si dhe me ulje të ndjeshme të temperaturave. Të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile janë në terren për çdo situatë emergjente që mund të krijohet si pasojë e kushteve atmosferike.
Fraksion.com