NATO pret fushatë dhe zgjedhje të qeta në Kosovë
Aleanca Veriatlantike pret që zgjedhjet në Kosovë të mos ndikojnë në tensionimin e situatës. NATO është në kontakt me Kosovën dhe Serbinë që të sigurohet që ruajtja e qetësisë gjatë zgjedhjeve parlamentare në shkurt. Kështu u shpreh gjatë një debati që u zhvillua në Komisionin për Politikë të Jashtme dhe Mbrojtjes në Parlamentin Evropian në Bruksel, Sekretari Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte. Ai e ka cilësuar situatën në Bosnje e Hercegovinë dhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë si çështje thelbësore për stabilitet në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Nuk do të lejohet vakuum i sigurisë”
“Gjithsesi, ne jemi në kontakt me Kosovën, por edhe me Serbinë, për të siguruar që zgjedhjet që do të zhvillohen më vonë në Kosovë në shkurt të mos çojnë deri te destabilizimi. Kjo është kyçe. Në rajonin e Ballkanit Perëndimor ne vërtetë duhet të mbetemi të angazhuar së afërmi, sepse është një fqinjësi kryesore për ne”, tha Mark Rutte, duke shtuar se “aleanca nuk do të lejojë të ketë ndonjë vakuum të sigurisë, as në Bosnje e Hercegovinë, e as diku tjetër në rajonin e Ballkanit Perëndimor”. NATO ka prani ushtarake në Kosovë me rreth pesë mijë trupa. Gjatë tensioneve në veri në muajt e shkuar por edhe në të kaluarën, aleanca dhe udhëheqësit e saj vazhdimisht kanë paralajmëruar se është e gatshme të ndërhyjë nëse e sheh të nevojshme.
Reagime ndërkombëtare pas fillimit të fushatës
Në Kosovë ka filluar ndërkohë fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Partitë politike kanë filluar tubimet e tyre elektorale duke prezantuar para mbështetësve projektet dhe premtimet për mandatin e ardhshëm qeverisës katër vjeçar. Ambasada e SHBA-së e mirëpriti fillimin e fushatës zgjedhore në Kosovë, duke kërkuar nga partitë politike që “të sillen sipas traditave të forta demokratike”. “Zgjedhjet e lira, të drejta dhe transparente janë themeli i demokracisë dhe ne presim që të gjithë pjesëmarrësit të respektojnë sundimin e ligjit dhe proceset demokratike”, thuhet në një deklaratë të ambasadës amerikane.
Një delegacion i Këshillit të Evropës viziton Kosovën këtë javë për të vlerësuar “fushatën zgjedhore dhe politike dhe klimën para zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës më 9 shkurt”. Delegacioni prej tre anëtarësh i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që udhëhiqet nga Petra Bayr nga Austria, në Prishtinë takohet me presidenten e Kosovës, kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit, si dhe me krerët dhe përfaqësuesit e grupeve kryesore politike të Kuvendit.
“Janë paraparë takime edhe me delegacionin e Kuvendit të Kosovës në (PACE- APKE), me kryesuesin dhe anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me kryesuesin e misionit të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve, me anëtarë të bashkësisë ndërkombëtare, si dhe me përfaqësues diplomatik, nga shoqëria civile dhe media”, thuhet në njoftimin e Asamblesë Parlamentare të KiE-së. Më vonë gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit 20 anëtarë të Asamblesë Parlamentare të KiE-së do të qëndrojnë në Kosovë për të vëzhguar zgjedhjet krahas vëzhguesve tjerë të BE-së.
Pjesëmarrja e Listës Srpska në zgjedhje
Pas largimit nga institucionet e Kosovës dhe bojkotimit masiv të zgjedhjeve lokale në katër komunat në veri të Kosovës dy vjet më parë, partia më e madhe e serbëve Lista Srpska do të marr pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit. Këtë parti politike serbe megjithë kundërshtimet e partisë në pushtet Vetëvendosja që mos ta lejojë të marrë pjesë në zgjedhje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë e ka certifikuar. Mbajtja e votimeve do të bëhet edhe në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, ndonëse në dy vjetët e fundit në këtë pjesë kishte tensione të larta. Kjo për faktin që në shtator të vitit 2023, një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, dhe vranë një rreshter. Përgjegjësinë për sulmin, e mori ish-nënkryetari i Listës Srpska Millan Radoiçiq. Ndërkaq, në nëntor të vitit të shkuar ndodhi një shpërthim në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok në veri të Kosovës, kanal ky nga i cili varet funksionimi i termoelektranave të Kosovës dhe furnizimi me ujë të pijshëm për një pjesë të madhe të Kosovës. Autoritetet kosovare për shpërthimin në Ibër Lepenc e kanë fajësuar Serbinë, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të.
Autoritet e sigurisë në Kosovë kanë thënë se ato kanë marrë të gjitha masat e nevojshme që fushata zgjedhore dhe zgjedhjet e 9 shkurtit të zhvillohen në një ambient të qetë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), tashmë ka certifikuar 27 subjekte politike, prej të cilave: 19 parti politike, 5 koalicione, 2 nisma qytetare dhe 1 kandidat i pavarur. Pesë nga subjektet politike të certifikuara janë nga radhët e komunitetit serb të Kosovës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar listën prej më shumë se dy milionë votuesish./DW
Fraksion.com