AktualitetPolitikëTë fundit

Moti i keq, Rama: Borëpastrueset në terren për të siguruar lëvizjen pa pengesa

Prej tre ditësh vendi ynë është përfshirë nga reshjet e dëborës, duke sjellë edhe problematika në akse të ndryshme rrugore.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga pastrimi dhe kriposja e rrugëve në disa akse të vendit.

“Mjetet borëpastruese, në terren për të siguruar lëvizjen pa pengesa. Respektoni rregullat e qarkullimit rrugor dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve që janë aty për t’ju mbështetur”, tha Rama.

Puna po vijon në terren, pavarësisht kushteve të motit dhe temperaturave të ulëta, deri në normalizimin e plot të situatës.

Konkretisht borëpastrueset po punojnë në akset Ura e Zapodit-Shishtavec,  Bogë-Theth, Valbonë, Kuben- Vasie, Krumë-Qafë Prush, Kukës-Shishtavec dhe Korçë-Ersekë.

Sipas njoftimit të sotëm për shtyp të ARRSH-së, në aksin Kukës – Krumë dhe Kukës – Ura e Zapodit, vazhdojnë reshjet e dëborës, shoqëruar me erë të fortë. Qarkullimi vijon pa ndërprerje.

Në aksin Bogë -Theth, reshjet e dëborës janë ndërprerë. Është bërë pastrimi dhe kriposja e rrugës, e cila tashmë është e qarkullueshme me goma dimërore.

Në Krumë – Qafë Prush, qarkullimi vijon pa probleme. Ndërsa në aksin Korçë – Ersekë, ka prezencë ere të fortë, në mënyrë të veçantë përgjatë segmentit nga Helmësi në Mollas.

 

Fraksion.com