AktualitetBota+Të fundit

Lufta Rusi Ukrainë, bisedimet e mundshme të paqes

Mimoza GOLIKJA

 

Ka vetëm disa ditë që u raportua nga një zëdhënës i Aleancës se NATO ka marrë përsipër mbrojtjen ajrore në Poloni nga SHBA-ja. NATO mori komandën dhe kontrollin nga SHBA më 9 janar  2025, tha koloneli Martin O’Donnell dhe tha se do të ndihmojë në mbrojtjen e nyjeve logjistike në Poloni që nevojiten për të vazhduar dhënien e ndihmës thelbësore për përpjekjet luftarake të Ukrainës kundër Rusisë. Masa është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të angazhimit prej  muajsh për të zhvendosur barrën e ndihmës së Ukrainës nga SHBA në vendet evropiane.

Ndërkohë aleatët e NATO-s janë përgatitur që mbështetja e SHBA-së për Ukrainën të tkurret gjatë vitit të ardhshëm. Trump ka vënë në pikëpyetje vlerën e ndihmës për Ukrainën dhe përkushtimin e SHBA-së ndaj NATO-s, dhe ka thënë se dëshiron t’i japë fund luftës.

“NATO po merr çdo ditë e më shumë përgjegjësi”,  tha koloneli O’Donnell zëdhënësi i Shtabit Suprem të NATO-s për Fuqitë Aleate në Evropë.

Administrata në largim e SHBA-së ndërsa përgatitet për administratën e ardhshm, është përpjekur  që ta lërë Ukrainën në pozicionin më të fortë të mundshëm si në fushën e betejës ashtu edhe në rast negociatash. Javën e kaluar, SHBA njoftoi një paketë tjetër ndihme ushtarake prej 500 milionë dollarësh për Ukrainën, paketa përfundimtare e pritur nga udhëheqja në largim.

Gjatë muajit të kaluar, NATO ka filluar të marrë përsipër përgjegjësitë nga përpjekjet e SHBA-së për të ndihmuar Ukrainën, nëpërmjet Grupit të Asistencës së Sigurisë-Ukrainë (SAG-U), i cili trajtonte fluksin e armëve dhe pajisjeve perëndimore në Kiev. Mbrojtja ajrore në Poloni, tani nën komandën e NATO-s, është një pjesë kyçe e mbrojtjes së qendrave logjistike që mundësojnë rrjedhën e atyre armëve. Gjithashtu një tjetër element kritik në ndihmën për Ukrainën ka qenë Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës (UDCG), i udhëhequr nga SHBA, takim me rreth 50 vende që e kanë mbështetur Ukrainën me armë dhe pajisje.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin udhëhoqi takimin e fundit të UDCG të administratës Biden në bazën ajrore Ramstein në Gjermani javën e kaluar( 9 janar), duke sfiduar vendet e tjera që të mbajnë gjallë forumin. “Ne nuk duhet të ndalemi tani”, tha Austin në konferencën e shtypit pas takimit. “Koalicioni për të mbështetur Ukrainën nuk duhet të dridhet. Nuk duhet të lëkundet. Dhe nuk duhet të dështojë.”

 

Çfarë po ndodh në në fushën e betejës ndërsa “pritet” armëpushimi

 

Nga ana tjetër, Ukraina po përgatitet për disa zgjedhje të vështira në muajt e ardhshëm. Trupat e saj janë kundër Rusisë përgjatë disa pjesëve të vijës së gjatë të frontit, por ndërkohë ajo ka mungesë të ushtarëve me përvojë dhe me dyshimin nëse ndihma ushtarake do të vazhdojë të arrijë si norma aktuale.

Në Kiev, qeveria pret dhe shikon sinjalet nga Moska dhe Uashingtoni dhe përsërit pothuajse çdo ditë dëshirën e saj për një “paqe të drejtë”. Çdo mendim për të rimarrë territorin e pushtuar nga Rusia është në pritje të pacaktuar.

Ndërsa pavarësisht se kanë marrë humbje të mëdha, forcat ruse vazhdojnë të shtyjnë përpara në rajonin e Donetskut, një nga katër rajonet që Moska ka aneksuar ilegalisht dhe po kërkon t’i pushtojë plotësisht. Fitimet e tyre ditore maten në fusha dhe rrugë ndërsa zvarriten drejt brezit industrial të rajonit.

Sipas analistëve të burimit të hapur WarMapper, Rusia po pushton pak më shumë se 18% të Ukrainës, përfshirë Krimenë dhe zonat e Donetsk dhe Luhansk që kishte marrë para vitit 2022. Forcat ruse kishin marrë rreth 150 milje katrorë (400 kilometra katrorë) në dhjetor.

Njësitë ukrainase janë më të shumta në numër në lindje. Një komandant tha këtë javë se grupe të vogla të këmbësorisë ruse po kryenin sulme nga shumë drejtime në të njëjtën kohë, duke e bërë të vështirë për forcat ukrainase përqendrimin e zjarrit. “Ndërsa korrelacioni i forcave në lidhje me zjarret taktike, dronët dhe sulmet me rreze të gjatë duket se nuk po favorizon asnjërën palë në një masë të konsiderueshme, fuqia punëtore mbetet diferencuesi kryesor midis Rusisë dhe Ukrainës,” thotë  një tjetër analist në blogun “Futura Doctrina”.

Njësitë ruse aktualisht  janë 3 milje (5 kilometra) nga qendra e Pokrovsk dhe kanë marrë kontrollin e Kurakhove dhe një pjesë të qytetit të Toretsk, sipas videove të gjeolokuara. Komandanti i një batalioni ukrainas pranë Pokrovsk tha se forcat ruse atje kishin intensifikuar granatimet dhe sulmet me bomba. Ndërsa zëdhënësi ushtarak Viktor Tregubov, sipas cnn,  i tha televizionit ukrainas se luftimet vazhduan rreth Kurakhove dhe trupat po mbaheshin në termocentral, “kështu që nuk mund të themi se trupat ruse e kanë marrë qytetin plotësisht. Por, sigurisht, pjesa më e madhe e qytetit është kthyer në gërmadha.”, tha ai.  “Modeli rus është i pandryshuar. Armiku në mënyrë të pashmangshme konsumohet para se të rraskapitet”, shprehen analistët  nga ana tjetër.

Qëllimi për Kievin është të mbrojë atë që ka ende. Ministri ukrainas i Mbrojtjes Rustem Umerov tha në takimin me aleatët në Grupin e Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës në Gjermani më 9 janar 2025 se prioritetet e Ukrainës këtë vit do të ishin stabilizimi i vijës së frontit dhe forcimi i aftësive të saj mbrojtëse.

Anëtarët e Grupit të Kontaktit kanë dhënë më shumë se 126 miliardë dollarë ndihmë sigurie për Ukrainën gjatë tre viteve të fundit. Partnerët premtuan ndihmë të mëtejshme në Gjermani më 9 janar përfshirë 30,000 dronë gjatë vitit të ardhshëm dhe më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se koalicioni “duhet të vazhdojë të qëndrojë me Ukrainën, dhe të forcojë dorën e Ukrainës për negociatat që një ditë do ta mbyllin luftën monstruoze të Putinit”.

Por negociatat për përfundimin e konfliktit duken të pamundura për momentin. “Arsyeja është e thjeshtë, Moska nuk është e gatshme për asnjë kompromis. Luan për fitore, jo për barazim”, thotë Arkady Moshes, në 19FortyFive. “Suksesi mund të arrihet në fushën e betejës ose në tryezën e bisedimeve, por ai duhet të jetë i padiskutueshëm. Sipas mendimit të Putinit, Ukraina duhet të mposhtet dhe Perëndimi duhet të pranojë publikisht humbjen e Ukrainës dhe të tijën”, shton ai.

 

Bisedimet e mundshme të paqes

 

Por a do të ndalojnë  “luftimet brenda 24 orëve” siç shumë shpresojnë pas ardhjes së administratës së re të SHBA-së  dhe  kur “mund t’i jepte fund konfliktit”?  Është e paqartë se si synimet e pandryshuara të Kremlinit  mund të përputhen me  këtë shpresë tashmë të t♪7 gjithëve.

Ryan, blogeri i Futura Doctrina, beson se Putini “ka të ngjarë të sigurojë që pa marrë parasysh se çfarë, objektivi 100-ditor i administratës së re dështon. Ai nuk ka asnjë arsye bindëse për të ardhur në tryezë tani, duke menduar se ka momentumin në këtë luftë.”, shkruan cnn. Kurse  Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka dhënë pak tregues për parametrat që do të ishin të pranueshëm për Ukrainën. Ai tha fundjavën e kaluar se “Ne padyshim do të qëndrojmë të vendosur dhe do të arrijmë një paqe të qëndrueshme për popullin tonë dhe vendin tonë”.  Prioriteti i tij është t’ia paraqesë çështjen e Ukrainës drejtpërdrejt  presidentit të zgjedhur Trump. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Heorhii Tykhyi në të njëjtën ditë tha se Ukraina po përgatitej për bisedime në “nivelet më të larta”.

“Qëndrimi ynë është i qartë: të gjithë në Ukrainë duan t’i japin fund luftës me kushte që janë të drejta për Ukrainën.”, tha ai

Në zemër të çdo zgjidhjeje për Kievin do të ishin garancitë afatshkurtra se armëpushimi mund të monitorohet dhe garancitë afatgjata për Ukrainën që do ta pengonin Putinin nga përdorimi i armëpushimit për të rigrupuar dhe rinovuar armiqësitë. Kjo duhet të përfshijë “investime të rëndësishme në fuqinë ajrore, mbrojtjen e raketave balistike, një divizion të rëndë të pajisur plotësisht, standard të NATO-s”, thonë analistët. Ndërkohë, që shtojnë se “Zelensky duhet të ketë një këndvështrim të gjatë strategjik, duke kuptuar se territoret e humbura në realitet përfaqësojnë një gjymtyrë gangrenoze që duhet të pritet për të shpëtuar trupin e shëndetshëm”.

Në një minimum absolut Moska do të kërkojë që Ukraina të lëshojë territorin që ka humbur dhe të braktisë përpjekjet e saj për t’u bashkuar me NATO-n, për të cilën presidenti Trump beson se ishte një provokim për Rusinë.

Në vend të kësaj, Kievi do të duhet të negociojë garanci të tjera, siç tha Zelensky në një intervistë në televizionin italian javën e kaluar, që do të “parandalonin Rusinë nga kthimi me agresion”.

Por Kremlini mund të kërkojë shumë më tepër.

Kievi “pritet të pranojë kufizime të gjera në madhësinë e forcave të tij të armatosura dhe në llojet e sistemeve të armëve që lejohet të zotërojë. Këto propozime nuk janë një recetë për një zgjidhje të qëndrueshme,” sipas një zyrtari të Këshillit Atlantik. Moska nuk ka treguar asnjë shenjë të braktisjes së kërkesës së saj maksimaliste për tërësinë e të katër rajoneve që pretendon se ka aneksuar. “Kjo do të nënkuptonte dorëzimin e sasive të mëdha të territorit të papushtuar ukrainas duke përfshirë qytetin e Zaporizhzhia me një popullsi prej rreth tre të katërtat e një milion banorësh”, vëren ai.

Tani për tani, shumë analistë  nuk shohin dëshirë nga asnjëra palë për të filluar bisedimet. “Nuk ka asnjë pritshmëri tani që asnjëra palë të jetë gati për negociata,” tha ditët e fundit zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së. Kurse komentatorit rus Giorgy Bovt thotë se ndërsa Kremlini dhe Trump kanë shprehur gatishmërinë për një samit, përpjekjet e parakohshme për të çuar përpara negociatat mbi konfliktin e Ukrainës mund të dështojnë.  “Nëse takimi mbahet para kohe, kur kushtet për paqe ende nuk janë pjekur, do të bëjë më shumë dëm sesa dobi. Mund të çojë në një përshkallëzim edhe më të madh. Në të njëjtën kohë, të dyja palët ndërluftuese janë ende bast për vazhdimin e armiqësive, duke mos i konsideruar forcat e tyre të shterura”, shkroi ai në Telegram.

 

Fraksion.com