AktualitetRajoniTë fundit

Lavrov: Moska në kontakt me Serbinë lidhur me pronësinë e NIS-it

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha të martën se Moska është në kontakt me “miqtë e saj serbë” lidhur me fatin e pronësisë së kompanisë serbe të naftës NIS, e cila u vu nën sanksionet e SHBA-së.

Në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pas një takimi me ambasadorin rus në Serbi, Bocan-Harçenko tha se ka kërkuar “nga miqtë rusë” fillimin e konsultimeve dhe mbajtjen e takimeve për funksionimin e NIS-it në të ardhmen.

“(Diskutuam edhe për) gjetjen e zgjidhjes më të mirë në interes të ndërsjellë, duke ruajtur marrëdhëniet e partneritetit dhe ato miqësore ndërmjet Serbisë dhe Federatës Ruse”, shkroi Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram, të martën.

Vuçiq tha të premten se pas sanksioneve të reja të Shteteve të Bashkuara kundër sektorit të naftës ruse, kompanisë Gazprom Neft të Rusisë do t’i jepet një afat prej 45 ditësh për të dalë nga pronësia e NIS-it.

Ky afat vlen edhe për Serbinë që të përfundojë “nënshkrimin e çfarëdo marrëveshjeje apo kontrate me palën ruse”.

Pas kësaj, siç tha ai, sanksionet hyjnë në fuqi “plotësisht”.

Gazprom Neft ka aksione në NIS, që nga viti 2022. Aksione ka edhe kompania e saj amë Gazprom.

Sipas të dhënave të NIS-it, kompania Gazprom Neft zotëron sot 50 për qind të kapitalit aksionar të NIS-it, Republika e Serbisë zotëron 29.87 për qind të aksioneve, ndërsa kompania Gazprom zotëron 6.15 për qind të aksioneve.

Industria e Naftës e Serbisë u sanksionua nga Departamenti i Financave i Shteteve të Bashkuara më 10 janar, për shkak të të ashtuquajturit “rrezik sekondar”, do të thotë për shkak të lidhjes me Gazpromin rus.

Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard Verma, tha në Beograd të shtunën se Serbia nuk do të përballet me pasoja ekonomike, nëse pronësia ruse hiqet nga NIS-i./REL

 

Fraksion.com