AktualitetPolitikëTë fundit

“Është koha për përgjegjësi jo për show”, Hoti: 23 shkollat e mbyllura në Kurbin, nga mungesa e ngrohjes

Deputetja e Partisë Demokratike, Elda Hoti deklaroi sot se, 23 shkolla u mbyllën në Kurbin prej të ftohtit dhe se shkak është bërë mungesa e sistemit të ngrohjes.

“Dje Ministria e Arsimit dhe Sportit për shkak të situatës së rënduar nga moti i keq, vendosi pezullimin e përkohshëm të procesit mësimor në të vendit”, tha Hoti në një deklaratë për mediet nga selia e PD.

“Nga 77 shkolla në gjithë vendin të mbyllura që nuk kanë ngrohje apo e kanë të pamundur prej borës të shkojnë dot në shkollë, 23 shkolla të mbyllura janë në Kurbin që nuk kanë ngrohje. Afërsisht 1/3 e gjithë shkollave të vendit që nuk afrojnë mundësi mësimi ndodhen në Kurbin”, u shpreh ajo.

Sipas saj, “ulja e çmimit të energjisë me 1 lek nga qeveria është një tallje e hapur me qytetarët, kur mijëra familje në qarkun e Lezhës janë prej ditësh në errësirë totale”.

Hoti nënvizoi se, “premtimet boshe dhe propagandat nuk ndezin dritat, nuk ngrohin shtëpitë dhe nuk ulin vuajtjet e qytetarëve”.

“Është koha për përgjegjësi dhe veprime të menjëhershme jo për show dhe tallje”, theksoi Hoti.

 

Fraksion.com