“Xhaferllari duhet të ikë nga Kushtetuesja, nuk deklaroi bashkëjetuesin”, Alibeaj- Berishës: S’të del inati që ta hoqa imunitetin
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Marsida Xhaferllari duhet të largohet nga detyra, pasi sipas tij, ka shkelur ligjin duke mos deklaruar personin me të cilin po bashkëjeton.
Deklaratën ai e bëri gjatë një konference për shtyp, ku tha se pavarësisht qëndrimeve që ka mbajtur me votën e saj në vendime të caktuara të Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarja Xhaferllari nuk duhet të devijonte ligjin.
“Qëndrimet e mia ndaj kësaj gjykatëse janë shprehur dhe po i përqëndroj në këtë sentencë. Për PD-në nuk ka asnjë problem pse gjykatësja bashkëjeton me atë që do të bashkëjetojë. Shqipëria ka një ligj prej shumë vitesh dhe ky ligj njeh bashkëjetesën e për rrjedhojë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga bashkëjetesa. Në qoftë se kjo zonjë bashkëjeton me një njeri, mos harro se ka statusin e gjykatëses Kushtetuese, këtë ajo e fsheh dhe është në shkelje të ligjit. Ajo është e detyruar ta deklarojë këtë. Pasi e deklaron nuk ka asnjë problem tjetër. Kjo ccështje ka dalë para disa vitesh në Parlament dhe është bërë ligji”, u shpreh Berisha.
Sipas tij “ligji detyron bashkëjetuesen njësoj si bashkëshorten të deklarohen për të gjithë aktivitetin e tij, të ardhurat etj. Në momentin që devijon ligjin, duhet të largohet nga detyra që ka. Gjyqtarja ka të drejtë të dojë atë që do, por duhet të zbatojë ligjin. “Kush mund t’i besojë një gjykatëse si kjo që nuk zbaton ligjin dhe nuk deklaron bashkëjetesën”, tha Berisha.
Lidhur me deklaratat e Berishës ka reaguar bashkëjetuesi i anëtares së Kushtetueses, deputeti Enkelejd Alibeaj, i cili thotë se kreu i PD-së po hakmerret për votën që ai ka dhënë për heqjen e imunitetit të Berishës.
“Sali Berishës nuk i del inati për faktin që në Komisionin parlamentar të Mandateve votova për heqjen e imunitetit ndaj tij. Për inatin nuk e ndihmoj dot, madje as për hakmarrjen primitive që ai përdor rëndom me të gjithë ata që i dalin kundër. Hakmarrje që nuk kursen as familjen e atyre që mendojnë ndryshe nga ai. Kjo nuk është e re në sjelljen politike të Sali Berishës. Vetëm se hallet e tij dhe të familjes së tij me drejtësinë nuk mund të jenë hallet e çdo shqiptari. E si të tilla, nuk mund të jenë as hallet e mia dhe të familjes time. Kështu që e ftoj të mbledhë veten e të merret me hallet e veta”, tha Alibeaj.
Sipas tij “thënë ndryshe, çdo shpifje nga goja e tij është po aq pa vlerë sa të gjithë ato që ka thënë këto 30 e kusur vjet për çdo kundërshtar politik. Do të votoja në çdo rast sërish për heqjen e imunitetit të tij dhe të gjithë atyre që kanë probleme me drejtësinë. Këtë e kam qëndrim parimor të palëkundur, pa patur ndonjë inat me të apo ndokënd tjetër. Hallet që kanë familjarisht me SPAK nuk ja zgjidh dot. Komunizmin vërtet e kemi larguar më shumë se 3 dekada më parë, por mentalitetin komunist e kemi ende prezent në politikë. E për fat të keq, duke mbajtur peng demokratët dhe të djathtën në Shqipëri”.
Fraksion.com