E enjte, 16 Janar, 2025
Latest:
AktualitetTë fundit

Reshjet e dëborës në Korçë, prefekti Jole: Rrugët në monitorim, vijon kriposja

Në segmentet Qafë Thanë, Libonik-Rëmbec-Plasë, Korçe-Ersekë dhe Zëmblak-Goricë vijon puna për largimin e dëborës dhe kriposjen që nuk është ndërprerë gjatë gjithë natës e do të vijojë pa ndërprerje edhe gjatë ditës.

Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole tha sot për ATSH-në se çdo segment po mbahet në monitorim të vazhdueshëm nga Autoriteti Rrugor Qendër-Lindje dhe Policia e Qarkullimit Rrugor.

“Kërkohet nga drejtuesit e mjeteve që të bëjnë kujdes të shtuar e të pajisen me goma dimërore kur udhëtojnë për në zonat me prezencë dëbore ose zinxhirë kur kjo komunikohet nga autoritetet”, u shpreh Jole.

Gjithashtu, prefekti kërkoi mirëkuptim nga qytetarët kur fluksi i mjeteve që lëvizin gjatë ditës është më i lartë e për pasoje ulet ritmi i shpejtësisë së përshkrimit të segmenteve rrugore nga borëpastrueset.

Moti i rënduar i ditës së djeshme solli reshje të dendura dëbore në qarkun e Korçës, çka bëri që qarkullimi të vështirësohet. Temperaturat e ulta vijojnë edhe sot, ndërsa autoritetet bëjnë thirrje për kujdes.

 

Fraksion.com