Policia ka nxjerrë grupe emergjence në të gjithë vendin, apel drejtuesve të mjeteve
I gjithë vendi është përfshirë nga reshjet e shiut, dëborës dhe erëra të forta duke shkaktuar probleme në lëvizjen e mjeteve në disa akse rrugore.
Në të gjitha Drejtoritë Vendore të policive janë ngritur grupet e emergjencës, të cilët po mbajnë kontakte të vazhdueshme me përfaqësuesit e pushtetit vendor, firmat kontraktore dhe emergjencat civile.
Policia Rrugore e Lezhës u ka bën thirrje drejtuesve të mjeteve të transportit të mallrave të bëjnë kujdes maksimal gjatë kalimit në urën e Matit.
Apeli i policisë vjen posaçërisht për të gjithë ata drejtues që i kanë mjetet me tenda.
Policia kërkon që të hapen tendat për të shmangur rrezikun e destabilizimit nga era ose lëvizjet e papritura në rast se mjetet lëvizin pa ngarkesë.
“Të respektohet shpejtësia e lejuar dhe të ndiqen udhëzimet e sinjalistikës dhe të policisë rrugore”, njoftoi policia.
Sipas policisë këto masa janë të nevojshme për të garantuar sigurinë në rrugë dhe për të parandaluar incidente të mundshme.
Shërbimet e Qarkullimit Rrugor kanë ndërhyrë në ndihmë të një familjeje që kishte mbetur e bllokuar në rrugën që çon në malin e Tomorit, pasi automjeti me të cilin po udhëtonin nuk mund të vazhdonte lëvizjen për shkak të reshjeve të dendura të dëborës.
Gjatë patrullimit në aksin rrugor Poliçan-Mali i Tomorit, shërbimet e Qarkullimit Rrugor konstatuan një automjet të ndaluar me pesë shtetas brenda, përfshirë dy fëmijë. Familja nga Berati, kishte udhëtuar drejt malit të Tomorit, por gjatë kthimit, automjeti kishte xhiruar për shkak të borës dhe kishte pësuar dëmtime në goma, duke e bërë të pamundur lëvizjen drejt qytetit.
Fraksion.com