Ky është biznesmeni Bujar Nasufi, që u ekzekutua me armë zjarri në hyrje të shtëpisë
Bujar Nasufi, personi që shihni në foto, është biznesmeni, i cili u ekzekutua me armë zjarri mbrëmjen e kaluar, 12 janar, në zonën e Pallatit me Shigjeta, shumë pranë banesës së tij.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 20:40, ku 56-vjeçari u qëllua me gjashtë plumba, dy prej të cilave e kishin kapur në gjoks duke i shkaktuar dhe vdekjen.
Autori i maskuar dyshohet se e ka pritur përpara banesës ku dhe është kryer ekzekutimi.
Sipas hetimeve të deritanishme në momentin e ngjarjes 56-vjeçari sapo kishte ndaluar makinën dhe po hynte në derën e banesës. 56-vjeçari u ekzekutua në sy të bashkëshortes së tij.
Kjo e fundit ishte brenda mjetit në momentin kur autori afrohet dhe e qëllon duke e lënë të vdekur në vend.
Kanë qenë dy automjete, një e viktimës dhe tjetra e vëllait të tij që kanë qenë duke u afruar në banesë.
Të dyja familjet jetojnë në një godinë, pallat që e kanë ndërtuar para disa vitesh.
Fillimisht në rrugicën është futur mjeti i të vëllait, ndërsa pas ka qënë mjeti i viktimës.
Sapo ky i fundit ka dashur të parkojë në rrugë, autori është afruar dhe e ka qëlluar dhe më pas është larguar me motor.
Autori dyshohet të ketë qenë i vetëm dhe e ka qëlluar me pistoletë në xhamin ballor dhe anësor të makinës së viktimës.
Menjëherë pas ngjarjes autori u largua në drejtim të zonës së “Selitës” me një motor ngjyrë të zi. Që prej mbrëmjes së djeshme policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit të atentatit, por deri më tani nuk ka asnjë shenjë nga ai.
Viktima ka qenë një person jo problematik dhe nuk figuron të ketë pasur probleme me drejtësinë. Edhe fqinjët janë shprehur për mediat se ai ka qenë person i qetë dhe nuk kishte konflikte, as nuk ruhej dhe bënte një jetë normale.
Fraksion.com