Dronët e rinj rrisin fuqinë e Rusisë në Ukrainë
Ndërsa forcat ruse shtuan përparimet e tyre në lindje të Ukrainës, ato u ndihmuan edhe nga një mjet i ri – droni që fluturon me përdorimin e kabllove me fibra optike.
“Përdorimi i dronëve FPV me fibra optike krijon patjetër sfida të reja në fushën e betejës”, thotë një roje kufitare në Brigadën Pomsta, e cila përdor nofkën Phoenix.
Radio Evropa e Lirë ra dakord që ta identifikojë atë dhe ushtarët e tjerë me shenjat apo nofkat e tyre, ashtu siç përcakton edhe rregulli i vendosur nga ushtria ukrainase.
Ndryshe nga dronët standardë FPV, të cilët pilotohen përmes një videoje që transmetohet në kufjet e pilotit, në pajisjet celulare ose në ekranet e tjera, kabllot me fibra optike mundësojnë që dronët të funksionojnë pa radio-sinjale.
Kjo i bën ata më pak të rrezikuar ndaj bllokadës elektronike, pasi mbeten të lidhur drejtpërdrejt me operatorët e tyre përmes kabllove me fibra optike.
Forcat e Ukrainës janë duke u përballur me mungesa armësh nga Perëndimi dhe Rusia është në avantazh sa i përket numrit të ushtarëve në anën e saj.
Në këtë situatë, dronët e modifikuar padyshim se paraqesin ndryshim të taktikave në fushëbetejë.
Si Kievi, ashtu edhe Moska i kanë intensifikuar luftimet, përpara se presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, i cili është zotuar se do t’i japë fund luftës shpejt, ta marrë detyrën më 20 janar.
Dronët e rinj thuhet se kanë qenë në përdorim që nga vera, por ushtarë të Ukrainas, të stacionuar nëpër zona të ndryshme të vendit, thonë për Radion Evropa e Lirë se ata janë duke u bërë një element kryesor i strategjisë së Moskës në fushëbetejë.
“Një armë shumë e rrezikshme”
Shumë thonë se, përveç përdorimit për zbulim, ata përdoren nga trupat ruse edhe si dronë vetëshkatërrues, teksa godasin pozicionet dhe automjetet e Ukrainës.
“Kjo është një armë shumë e rrezikshme. Është si një tullë me një helikë që fluturon drejt teje dhe ti mund të bësh fare pak për ta ndaluar”, thotë Varani, një oficer në Brigadën 148 të Artilerisë.
Të përballur me ndryshimin e taktikave, ushtarët thonë se janë detyruar të përshtaten shpejt, por rezultatet janë të përziera.
Kostyantyni, një komandant i batalionit të Brigadës Bureviy të Gardës Kombëtare, thotë se paefektshmëria e bllokimit elektronik të dronëve të rinj, u mundëson atyre të fluturojnë ose t’i arrijnë objektivat me më shumë saktësi, në krahasim me dronët tradicionalë FPV.
“Ata u mundësojnë atyre [forcave ruse] t’i shohin pozicionet tona më mirë, të godasin më saktë dhe të fluturojnë në distanca më të gjata. Kjo e bën situatën pak më të komplikuar”, thotë ai.
E, këto komplikime bënë që Kyrylo Budanov, udhëheqës i Agjencisë kryesore të Inteligjencës të Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës, t’i cilësojë dronët e rinj si “një problem i madh për ne”.
Më 8 janar, Instituti për Studime të Luftës (ISW) vuri në dukje se Rusia është duke dislokuar gjithnjë e më shumë dronë me fibra optike – si pjesë e ofensivës së saj aktuale – dhe tha se dronët kanë kryer tashmë një seri sulmesh të reja përgjatë vijave të frontit.
Shvayka, një pilot droni dhe komandant toge në Ukrainën lindore, thotë se kabllot e gjata me fibra optike, i bëjnë dronët më të vështirë për t’u zbuluar.
“Është vetëm një kuti e vogël, ku është e vendosur kablloja me fibra optike, dhe është shumë e lehtë ta humbasësh, sepse është sa një paketë cigaresh”, thotë ai.
Një avantazh tjetër i këtyre dronëve është se ata kanë më pak gjasa ta humbasin sinjalin e tyre sesa dronët standardë FPV dhe mund t’i ndjekin objektivat më lehtë.
Jo pa të meta
Medoidi, një roje kufitare ukrainase, thotë se mësimi më i madh që ka nxjerrë nga përballja me këta dronë, është nevoja për të marrë masa paraprake shtesë dhe për t’i kamufluar më mirë objektivat dhe personelin e mundshëm.
Dronët me fibra optike nuk janë pa të meta, sipas tij.
Ai thotë se ata kanë probleme në terrene dhe hapësira që nuk janë të hapura dhe se ka parë disa herë dronë të tillë të kapur në degë pemësh.
Dronët janë gjithashtu të kufizuar në distancat që mund t’i mbulojnë dhe ku mund të godasin.
Duke i pasur parasysh këto pengesa, ushtarët thonë se mënyra më e lehtë për t’i luftuar dronët, është me zjarr me armë të vogla.
Të tjerë thonë se kanë shpërndarë rrjeta të mëdha – madje edhe rrjeta peshkimi – për t’i penguar ata.
Rusia raportohet se është duke rritur prodhimin e dronëve me fibra optike, ndërsa Ukraina është duke u përpjekur t’i zhvillojë gjithashtu versionet e veta. Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës ka ekspozuar një model në fillim të këtij muaji.
“Për momentin, ne jemi ende në fazën e testimit”, thotë Lyutiy./REL
Fraksion.com