AktualitetTë fundit

112-vjetori i Policisë, Proda: Moment historik, mirënjohje 227 dëshmorëve

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda e konsideroi një moment historik 112-vjetorin e Policisë së Shtetit.

Në fjalën e tij në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, Proda u shpreh se “kjo ditë na kujton, jo vetëm rrugëtimin historik të kësaj strukture të rëndësishme, por edhe përkushtimin dhe sakrificat që breza të tërë të punonjësve të Policisë kanë bërë ditë pas dite, për 112 vjet për të garantuar rendin, sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë”.

“Në vitin e largët 1913, kryeministri i qeverisë së përkohshme të Vlorës, Ismail Qemali urdhëroi krijimin e forcave të Policisë dhe xhandarmërisë. Besoj me vizionin se po i jepte jetë krijimit të njërit prej institucioneve më të rëndësishme të shtetit të sapoformuar”, tha Proda.

Padyshim, shtoi ai, “në rrjedhën e ngjarjeve të viteve Policia e Shtetit shqiptar e ka provuar me vepra se ka qenë dhe mbetet një nga shtyllat kryesore të shtetit tonë. Ajo ka kaluar sfida të shumta. Ka përballuar kohë të vështira dhe ka ndryshuar bashkë me zhvillimin e shoqërisë dhe të shtetit shqiptar”, tha Proda.

“Rrugëtimi në kohë përgjatë 112 viteve nuk ka qenë kurrsesi i lehtë. Gjaku dhe vepra e 227 dëshmorëve të Policisë si dhe sakrifica e dhjetëra brezave që shërbyen në radhët e saj, një pjesë e tyre veteranë të nderuar që sot ndodhen edhe në këtë sallë është dëshmia më e qartë se organizata jonë e ka krijuar me vetëmohim të ardhmen e saj”, tha Proda, i cili shprehu mirënjohjen për veprën e secilit prej 227 dëshmorëve.

Proda më pas foli për proceset e modernizmit në Policinë e Shtetit, duke shprehur mirënjohjen për qeverinë shqiptare.

“Jam shumë krenar që nëpër tavolina nga e gjithë bota, dëgjoj të flitet për policinë tonë. Këto gurë të rëndësishëm në policinë tonë janë ndërtuar me shumë rigorizitet. Qindra të rinj po ndjekin akademinë dhe jam i lumtur që çdo vit e më shumë, po ndiqet si model i të rinjve”, u shpreh Proda.

“Ky transformim nuk do të ishte i mundur pa mijëra burra dhe gra që kanë zgjedhur të veshin uniformën e policisë. 112 vite histori janë pjesë e angazhimit tuaj, le të punojmë së bashku për të forcuar besimin e qytetarëve të policia e shtetit”, tha Proda.

 

Fraksion.com