Vit i “vendimeve të vështira” për Iranin
Pas një sërë goditjesh të mëdha, Irani është më i dobët dhe më i cenueshëm seç ka qenë prej vitesh.
Viti 2024 ishte ndëshkues për këtë shtet, pasi përjetoi dobësim të ndikimit rajonal.
Forca e tij ushtarake kundër armiqve të përhershëm, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, u dobësua, ndërsa ekonomia e tij u zhyt në krizë të thellë.
Ekspertët thonë se Republika Islamike duhet të marrë vendime të vështira këtë vit, kur presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, merr detyrën dhe marrëveshja bërthamore midis Teheranit dhe fuqive botërore skadon.
“Pres që viti 2025 të jetë një vit sfidash dhe zgjedhjesh të vështira për Teheranin, pasi regjimi do të përballet me administratën e re të Trumpit dhe do të përpiqet ta përballojë qasjen e tij të ashpër”, thotë Sanam Vakil, drejtoreshë e Programit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore në Institutin Chatham House, me qendër në Londër.
Në pozitë mbrojtëse
Një goditje mbi ambiciet rajonale të Iranit ishte rënia nga pushteti e aleatit të tij të ngushtë, presidentit sirian, Bashar al-Assad.
Nën udhëheqjen e Assadit, Siria ishte pjesë e “boshtit të rezistencës” – një rrjet i partnerëve rajonalë të Iranit – dhe i mundësonte këtij vendi t’i furnizonte aleatët e tij jashtë.
Ky rrjet përfshinte edhe Hezbollahun, parti politike dhe grup i armatosur në Liban, i cili, prej dekadash, ishte partneri më i rëndësishëm i Iranit.
Hezbollahu, dikur një forcë me ndikim, tani është kthyer në hije të vetvetes.
Kjo, pasi bombardimet ajrore dhe pushtimi tokësor nga Izraeli ia kanë dëmtuar fuqinë ushtarake dhe ia kanë shkatërruar udhëheqjen e lartë.