Shkup, interpelancë ndaj një deputeteje dhe katër anëtarëve të qeverisë
Parlamenti i Maqedonisë së Veriut e filloi sot seancën lidhur me pesë interpelanca; katër të ngritura nga partitë shqiptare të Frontit Evropian ndaj tre ministrave dhe një zëvendës-ministri dhe një interpelancë ndaj deputetes Ilire Dauti të Frontit Evropian, të ngritur nga partia “E Majta”.
Parlamenti me shumicë prej 61 votash e shkarkoi ligjvënësen Ilire Dauti nga pozita e drejtueses së Komisionit parlamentar për Çështje sociale, demografi dhe të rinj për shkak se ajo për javë të tëra nuk pranoi ta vërë në rend dite propozimin e Lidhjes Social Demokrate për ngritjen e statusit dhe pagave për ish-pjesëtarët e forcave ushtarake dhe policore maqedonase gjatë konfliktit të vitit 2001 dhe më pas.
Zonja Dauti dhe deputetët e Frontit Evropian e cilësuan interpelancën si një nismë kundër barazisë etnike dhe propozim-ligjin si diskriminues.
Partitë shiqptare të opozitës e mbështetën ligjvënësen Dauti, e cila ngulte këmbë që nëse miratohej një ligj për ish-pejsëtarët e forcave maqedonase, atëherë ligji të ishte i përbashkët dhe të përfshinte edhe ish-pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Partite maqedonase e quajtën shkelje të rregullave; rregullores së punës së parlamentit nga zonja Dauti mosvënien për debat të propozim-ligjit në komisionin përkatës.
Deputetët e Lidhjes Social Demokrate u larguan nga seanca duke thënë se interpelancat kishin të bënin me truqe politike mbi baza etnike dhe ata nuk morën pjesë në debat e as në votim.
Menjëherë më pas, parlamenti filloi interpelancat ndaj Zëvendës-kryeministrit Izet Mexhiti, Ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski dhe zëdvendës-ministrit të Brendshëm Astrit Iseni, si dhe ndaj ministrit për Marrëdhënie ndëretike, Ivan Stoilkoviç.
Fronti Evropian i akuzon këta pjesëtarë të qeverisë për keqmenaxhimin e situatës me rastin e Ditës së Flamurit shqiptar kur u shkatuan incidente në Shkup dhe qytete të tjera, ose për përpjekjet për shkeljen e Marrëveshjes së Ohrit që avancoi të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, apo në rastin e ministrit Stoilkoviç – për veprimtarinë e tij në shërbim të një shteti fqinj, sipas Frontit Evropain, duke aluduar në dhënien e informatave nga ana e ministrit, shërbimeve serbe dhe ruse të zbulimit.
Por, Fronti Evropian ka vetëm tetëmbëdhjetë vota në parlamentin prej 120 vendesh dhe interpelancat pritet të dështojnë.
Fraksion.com