Raste të reja të gripit të shpendëve në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta
Organizatat mjedisore shprehën shqetësimin se përhapja e gripit të shpendëve përbën rrezik serioz për shpendët e egër në Shqipëri, pas rasteve të reja të zbuluara në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta.
Organizata e Ornitologëve shqiptarë, AOS tha përmes një deklarate për mediat se nga mostrat e marra, shpendët e egër që u gjetën të ngordhur më 8 Janar 2025 në zonën e Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, konfirmohet se janë prekur nga gripi i shpendëve H5N1.
Sipas organizatës, në bashkëpunim me Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura Fier janë realizuar më 8 Janar monitorime në zonën e Parkut Kombëtar ku u gjetën brenda një dite nëntë raste shpendësh të ngordhur.
Rastet iu raportuan autoriteteve veterinere, që kryen analizat, të cilat dolën pozitive me gripin e shpendëve.
Sipas organizatës mjedisore zona Divjakë-Karavasta është zona me numrin më të lartë të shpendëve të egër në Shqipëri dhe e vetmja zonë folezimi e pelikanit kaçurrel, një specie tepër e rrezikuar.
“Sipas monitorimve të deritanishme infektimet me gripin e shpendëve përfshijnë pulëbardhat dhe dallëndyshet e detit, gjë që tregon për praninë e një epidemie që prek pak a shumë individë të së njëjtës specie”, tha organizata AOS.
Gripi i shpendëve njihet si një sëmundje infektive me virulencë të lartë që prek kryesisht shpendët dhe në raste të rralla edhe gjitarët, përfshirë njeriun. Shenjat klinike janë vështirësi në frymëmarrje dhe ngrordhje të menjëhershme.
Në vitin 2022, varianti H5N1 preku popullatën e Pelikanit kaçurrel duke shkaktuar rreth 2500 individë të ngordhur, shumica e të cilave në Prespën e Vogël, kolonia më e rëndësishme botërore e kësaj specie.
Tre individë të Pelikanit kaçurrel, te prekur nga gripi i shpendëve u gjetën të ngordhur në vitin 2022 edhe në koloninë që jeton në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta.
Organizata e Ornitologëve shqiptarë u bëri thirrje autoriteteve dhe shoqatave të specializuara për monitorim në vijueshmëri për shkak se në janar të çdo viti fillon dhe folezimi në koloninë e Pelikanit dhe mundësitë për transmetim të gripit nga një individ tek tjetri janë shumë të larta.
“I njëjti shqetësim vlen për të gjithë shpendët, sidomos ata që formojnë grupime të mëdha të përbashkëta, përfshirë fjetore dhe koloni folezuese”, tha organizata më e madhe mjedisore shqiptare për mbrojtjen e shpendëve AOS.
Lidhur me situatën e gripit të shpendëve reagoi të premten edhe ministria shqiptare e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Përmes një njoftimi publik ministria e Bujqësisë tha se situata për gripin e shpendëve në vend është nën kontroll dhe monitorim të vazhdueshëm nga strukturat qëndrore dhe rajonale shtetërore.
Sipas ministrisë së Bujqësisë, Qendra Kombëtare e Krizës për sëmundjen e Influencës Aviare ka identifikuar njësitë e zonave të mbrojtjes (3 km) dhe mbikqyrjes (10 km) për katër vatra: në Zall Herr, Nartë, Paskuqan dhe atë të konfirmuar më 9 janar në Lagunën e Karavastasë.
Ministria e Bujqësisë tha se “Shërbimi Veterinar Rajonal ka marrë të gjitha masat për monitorimin e situatës shëndetësore të shpendëve të butë, për izolimin e infeksionit me qëllim parandalimin e përhapjes duke vijuar komunikimin me Agjencinë e Zonave të Mbrojtura për monitorime dy-palëshe të faunës së egër në zonat lagunore e ujore të mbrojtura”.
Tutje, ministria njoftoi se në bashkëpunim me strukturat e tjera shtetërore, përfshirë policinë e shtetit, ka marrë masa për ndalimin e transportit të shpendëve të gjallë jashtë fermave, në 4 njësitë administrative të zonave të mbrojtjes dhe mbikëqyrjes, ku janë shfaqur deri tani rastet me gripin e shpendëve./VOA
Fraksion.com