AktualitetKosovaTë fundit

Qeveria miraton rritjen e pensioneve për kategoritë e luftës

Qeveria e Kosovës e ka miratuar të premten rritjen e pensioneve për të gjitha kategoritë e dala nga lufta e fundit në Kosovë, për 20 për qind.

Kabineti i kryeministrit Albin Kurti e miratoi përditësimi e një aneksi në Ligjin për kategoritë e luftës gjatë një takimi të premten, për ta mundësuar rritjen e premtuar tetorin e kaluar.

“Siç patëm njoftuar në tetor, sot, edhe zyrtarisht, do të aprovohet rritja për 20 për qind mbi shumën aktuale për familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave të dhunës seksuale dhe viktimat civile”, tha Kurti.

Nga kjo rritje do të përfitojnë familjet e dëshmorëve, invalidët, veteranët, pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare Kosovës, viktimat e dhunës seksuale të luftës dhe viktimat civile.

Ministri i Financave i Kosovës, Hekuran Murati, tha se rritja për të gjitha kategoritë e veteranëve, invalidëve dhe viktimat e dhunës seksuale do të jetë 20 për qind mbi shumën e tanishme pensionale.

“Për familjen që ka dhënë një dëshmor, rritja do të jetë 20 për qind, ndërsa për familjen që ka dhënë dy apo më shumë dëshmor, rritja do të jetë më e madhe. E njëjta vlen edhe për pensionet për familjet e zhdukurve”, tha ai./rel

 

Fraksion.com