Presidenti i zgjedhur Donald Trump nuk do të vuajë dënim
Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, është dënuar për rastin ndaj tij për blerjen e heshtjes, por gjykatësi ka refuzuar që t’i shqiptojë ndonjë pasojë ligjore.
Ky vendim çimenton dënimin e Trumpit, por i mundëson atij rikthimin në Shtëpinë e Bardhë i papenguar dhe pa kërcënimin për dënim me burg apo gjobë.
Ishte hera e parë që një ish-president apo një kandidat për postin e presidentit doli para gjykatës si i akuzuar për një vepër penale. Kjo ishte një nga katër akuzat penale ndaj Trumpit që shkuan në gjykim.
Trump, përmes një postimi në rrjetin Truth Social, e cilësoi dënimin si një “ngjarje të neveritshme”.
“Ngjarjet e sotme ishin të neveritshme dhe tani që kjo ka marr fund, ne do ta apelojmë këtë mashtrim, që nuk ka asnjë bazë, dhe do të rivendosim besimin e amerikanëve në sistemin tonë të drejtësisë, që dikur ishte madhështor”, shkroi ai.
Trumpi u shpall fajtor në maj të vitit të kaluar nga një gjykatë në Nju Jork për të gjitha 34 akuzat me të cilat përballej për falsifikimin e regjistrave biznesore të kompanisë, duke u bërë presidenti apo ish-presidenti i parë amerikan që dënohej për një vepër penale.
Trumpi ishte shpallur fajtor për falsifikimin e regjistrave biznesore për të ndikuar jashtëligjshëm në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, përmes pagesave për heshtjen e një aktoreje të pornografisë, e cila tha se kishte kryer marrëdhënie seksuale me të.
Ai ngarkohej me 34 akuza penale, përfshirë për falsifikimin e 11 faturave, 12 kuponëve dhe 11 çeqe, për ta fshehur pagesën në vlerë prej 130.000 dollarëve që ia kishte bërë Stormy Danielsit për ta blerë heshtjen e saj në lidhje me pretendimet e saj se kishte kryer marrëdhënie seksuale me Trumpin më 2006.
Daniels donte të fliste publikisht për lidhjen e dyshuar seksuale me Trumpin një muaj para zgjedhjeve të vitit 2016, gjë që do t’ia kishte dëmtuar fushatën presidenciale të nominuarit republikan.
Trump ka thënë se rrëfimi i saj ishte i rrejshëm dhe i ka mohuar të gjitha akuzat.
Fraksion.com