AktualitetPolitikëTë fundit

Poliklinika e Specialiteteve në Shkodër, me infrastrukturë moderne dhe shërbime të reja për rreth 200 mijë banorë

Poliklinika e re e specialiteteve në Shkodër, me një gamë të zgjeruar shërbimesh mjekësore, është një tjetër investim i buxhetit të shtetit për shëndetësinë që i shtohet qytetit, i cili ka nisur transformimin përmes projekteve madhore me impakt të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve.

Me ambiente të transformuara, kushte  moderne dhe e pajisur me aparatura të reja diagnostikuese për rreth 200 mijë banorë, investimi prej 120 milionë lekë të reja, shtrihet në një sipërfaqe 1300 m², ku ofrohen 22 specialitete nga 14 që ishin më parë.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Shkodër, ku së bashku me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu dhe kryetarin e bashkisë së Shkodrës, Benet Beci vizitoi mjediset e reja dhe u takua me mjekë dhe stafin drejtues të Poliklinikës.

Ministrja Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu, tha se Poliklinika e re e Specialiteteve është e ndërtuar tërësisht nga e para, jo vetëm me pajisjet, por edhe me infrastrukturë tërësisht të rehabilituar.

“Kjo është Poliklinika e Specialiteteve në Shkodër e ndërtuar tërësish nga e para, jo vetëm me pajisje, por edhe me infrastrukturën tërësisht të rehabilituar që tashmë zgjeron kabinetet dhe shërbimet. Ndërkohë zgjerohen kabinet e shërbimeve nga 14 shërbime që ofroheshin në këtë poliklinikë, aktualisht jemi në 22 shërbime. Pajisja DEXA është një pajisje që vlerëson densitetin e kockës dhe për gratë është shumë e rëndësishme. Vazhdojmë me grafinë, e cila është gjithashtu një pajisje diagnostikuese që i ka munguar qytetit të Shkodrës në poliklinikë, ofrohej vetëm në spital. Kemi kabinetin e mamografisë. Ndërkohë që një nga politikat për të diagnostikuar në kohë kancerin e gjirit për gratë, një fushatë që zhvillohet ne fakt gjatë muajit tetor, tashmë është bërë rutinë dhe ne kemi vendosur që të zhvillojmë diagnostikime falas me aparaturat e monografisë pa sistem referimi, në çdo qark të vendit, në çdo muaj. Në muajin janar është në Shkodër që diagnostikimi do të referohet drejtpërdrejtë, pa patur ato ecejaket në sistemin e referimit. – shpjegoi ministrja Koçiu, lidhur me aparaturat dhe risitë që ofrohen në kabinetet e poliklinikës.

Ndër të tjera, ministrja Koçiu tha se jo vetëm Poliklinika, por edhe Spitali i Shkodrës me buxhetin e vitit 2025 do të marrë vëmendje të shtuar.

“Ajo që duhet theksuar është që jo vetëm poliklinika, por edhe Spitali i Shkodrës me buxhetin e vitit 2025 do të marrë vëmendje të shtuar. Do të kemi rehabilitimin dhe rikonstruksionin jo vetëm të Maternitetit të Shkodrës, por edhe të disa shërbimeve të tjera si: Okulistika dhe disa shërbime të tjera, pneumologjia brenda spitalit të Shkodrës, duke e rritur dhe përmirësuar, jo vetëm kushtet e punës, po patjetër, motivuar stafin edhe ofruar shërbim cilësor për qytetarin”, u shpreh Koçiu.

“Ju falënderojmë shumë për investimin, për pajisjet e reja multifunksionale, të gjitha ekografitë janë të mbyllura për shërbimin ambulator. S’ka nevojë për të shkuar në spitale”, – u shpreh një prej mjekëve të stafit.

Një mjeke endokrinologe tha se “ishte shumë i nevojshëm rikonstruksioni dhe hapja e shumë kabineteve të tjera, meqenëse stafi ynë është shtuar goxha me prurjet e reja”.

Ndërkohë në Poliklinikë ka edhe shërbime që ofrohen për herë të parë, si shërbimi i fizioterapisë, shërbimi i shëndetit mendor, i toksikologjisë, etj.

“Risi tjetër është edhe zgjerimi i shërbimit me neurokirurgun e ri që është pas 30 vitesh dhe shërbimi i kirurgjisë maksilofaciale. Është shtuar gama e shërbimeve dhe është fuqizuar nga 14 në 22. Janë fuqizuar shërbimet e tjera nga dy mjekë për çdo shërbim, në mënyrë që qytetarët ta marrin shërbimin korrekt dhe të mos kemi radhë”, tregojnë ndër të tjera mjekët.

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com