“Mami eja”, u qëllua në sy të djalit 10-vjeç nga i dashuri i bashkëshortes, 40-vjeçari ende në gjendje kritike për jetën
Detaje të reja dalin lidhur me plagosjen e 40-vjeçarit me iniciale G.H në Fier, i cili u qëllua me armë zjarri nga i dashuri i bashkëshortes së tij, ngjarje kjo e ndodhur pesë ditë më parë.
40-vjeçari i plagosur ndodhet aktualisht në spital në gjendje kritike për jetën.
Mësohet se 40-vjeçari është qëlluar me armë në sy të djalit të tij 10 vjeç. Ka qenë i mituri ai që ka telefonuar të ëmën dhe i ka kërkuar ndihmë.
Referuar burimeve për News 24 telefonata ka qenë e tensionuar, dhe më pas 29-vjeçarja ka shkuar së bashku me të dashurin në lokalin ku gjendej 40-vjeçari.
Duke qenë që çifti ishin në proces divorci, djali qendronte gjatë ditës me të atin dhe në mbrëmje shkonte tek nëna.
Beqaj dhe Beluli më pas janë arratisur. Ata janë shpallur në kërkim prej një jave nga policia.
Ditën e sotme policia përmes një njoftimi zyrtar tha se ka shpallur në kërkim bashkëshorten e 40-vjeçarit të plagosur, me të cilën është në proces për zgjidhjen e martesës dhe autorin 26-vjeçar.
Më datë 08.01.2025, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier caktoi për 26-vjeçarin masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.
Njoftimi i policisë
Informacion shtesë:
Në vijim të informacionit të datës 05.01.2025, mbi plagosjen me armë zjarri të shtetasit G. H., 40 vjeç, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Zogut të Zi”, sqarojmë se si rezultat i veprimeve hetimore u bë shpallja në kërkim e shtetases M. H., 29 vjeçe (bashkëshortja e 40-vjeçarit, me të cilën është në proces për zgjidhjen e martesës). Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e saj, si dhe të autorit të plagosjes, shtetasit K. B., 26 vjeç.
Më datë 08.01.2025, për këta shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, përkatësisht për shtetasin K. B., për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, ndërsa për shtetasen M. H., për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.
Fraksion.com