Los Angeles, agonia e qytetit të engjëjve
Edhe zbritja në aeroportin LAX, në këto orë tragjike, është një bast. Kur avioni i parë që u nis në agim nga Nju Jorku afrohet, kapiteni informon pasagjerët si të ishte Indiana Jones: «Nëse kemi fat, ia dalim të mbërrijmë. Pista tani është e hapur, por gjithçka varet nga drejtimi i tymit».
Era është aq e rëndë, sa të mbush hundët sapo hapen dyert e avionit. Bertolt Brecht shkruante kështu: «Ferri duhet të jetë si Los Angeles». Ai i referohej kulturës së korruptuar, sipas tij, që shkatërronte qytetin e engjëjve. Por përballë shkatërrimit dhe vdekjes së shkaktuar nga zjarret që po e përpijnë, revista The Hollywood Reporter vëren se tani vargjet e poezisë “Contemplating Hell” tingëllojnë profetike.
Sikur vetë zjarri të donte – nuk është një film apokaliptik, por të kujton shumë një të tillë – të pastronte një komunitet tashmë të humbur. Në kuptimin moral, për ata që ndodhen në kampin e luftës kulturore amerikane dhe janë të lumtur që Trump është kthyer në Shtëpinë e Bardhë, por mbi të gjitha në kuptimin praktik, për shkak të thatësirës së shkaktuar të paktën pjesërisht nga ndryshimet klimatike që presidenti i ri i mohon, erërave të Santa Ana që fryjnë me mbi 160 kilometra në orë, hidrantëve që kanë mbetur pa ujë nga pakujdesia dhe për shkak se nuk ka rënë shi për muaj të tërë, dhe bimësisë së përflakur që askush nuk është kujdesur me të vërtetë ta pastrojë. Të gjitha këto janë metafora të një vendi që është njëkohësisht i bekuar dhe i mallkuar nga fati.
Një vend që mes zjarreve, tërmeteve dhe kërcënimeve të tjera është gjithnjë e më i brishtë, duke i detyruar banorët të firmosin një pakt të përhershëm me djallin: të pranojnë rrezikun e përhershëm të largimit, të përgatiten për më të keqen, në këmbim të privilegjit të të jetuarit pranë Oqeanit Paqësor, me diellin gjithmonë të ndezur, siç këndonte filmi La La Land, në vendin ku lindin iluzionet e kinemasë, mes festave të mrekullueshme dhe mundësive sociale që pjesa tjetër e Amerikës mund vetëm t’i ëndërrojë.
Shkatërrimi
Shkatërrimi është i dukshëm me sy të lirë. Tre zjarret kryesore në Palisades, Hollywood Hills dhe Eaton kanë djegur mbi 2,000 ndërtesa dhe 29,000 hektarë tokë, ekuivalente me 22,000 fusha futbolli, ose, siç do të thoshte popullsia tani dominuese latine. Të paktën dhjetë njerëz kanë humbur jetën, trupat e të cilëve u gjetën në tre ndërtesa në Altadena, por sherifi Robert Luna paralajmëron: «Është një vlerësim optimist, numri do të rritet».
Erërat janë ngadalësuar, por meteorologët parashikojnë kushte të favorshme për zjarrin të paktën deri nesër. Më shumë se 16 milionë njerëz në Kaliforninë e Jugut, nga vilat e aktorëve në Malibu deri te muri i ngritur nga Trump në kufi me Meksikën, janë brenda zonave me alarm të kuq.
Digjen ikonat e mitologjisë kinematografike, nga Sunset Boulevard te Mulholland Drive. Flakët po prekin studiot, Hollywood Walk of Fame, Chinese Theater dhe Dolby Theater, ku mbahen çmimet Oscar. Janë shkatërruar shtëpitë që i përkisnin Will Rogers, Billy Crystal dhe Paris Hilton, si dhe Topanga Ranch Motel i ndërtuar nga William Hearst, i njohur ndryshe si “Citizen Kane” për shkak të Orson Welles.
Po digjet parku i Getty Museum. Hotelet e Disneyland janë mjaft larg flakëve dhe janë shndërruar nga parajsa për turistët në strehë për të evakuuarit. Dëmet vlerësohen në 50 miliardë dollarë. Është shtyrë ndeshja e basketbollit e Lakers, ndërsa UCLA i ka transferuar mësimet online. Patrice Winter, pronarja e pastiçerisë Canyon Bakery, ankohet për Los Angeles Times: «Është si Armagedoni». Shana Soboroff rrëfen frikën e familjes së saj: «Nuk kishte alarme, por erërat u bënë shumë të forta. Po godisnin shtëpinë dhe ne ikëm». Në ndërtesat e braktisura, njëzet persona janë arrestuar për grabitje.
Dimensioni social dhe politik
Jack Kerouac vërente se edhe në Nju Jork ekziston një farë kameraderie, kur kalimtarët e shpejtë takohen dimrit në rrugët e ngrira, por në Los Angeles jo: asnjë mëshirë, asnjë ndjenjë humaniteti. Ndoshta e ekzagjeronte, por duke parë si politika shfrytëzon tragjedinë, mund të dyshosh se kishte të drejtë. Kryetarja e bashkisë, Karen Bass, e zgjedhur për të pastruar qytetin dhe për të trajtuar krizën e të pastrehëve përgjatë Skid Row, u kap në befasi nga kriza.
Mund të imagjinoni reagimin e atyre që urojnë kolapsin e qytetit të engjëjve, edhe pa tërmetin e madh të shumëpritur, i quajtur “Big One”. Presidenti Biden ndodhej rastësisht këtu, për të shpallur dy rezerva natyrore dhe për të pritur lindjen e një nipi. U largua për të marrë pjesë në varrimin e Carter, duke anuluar udhëtimin në Romë që ishte i papërballueshëm për imazhin publik. Menjëherë e shfrytëzoi Trump, i cili çdo natë ëndërron rënien e Kalifornisë liberale, për të fajësuar guvernatorin Newsom («Newscum») për ferrin që po ndodh.
Ndoshta sepse frikësohet se në 2028 do të kandidojë kundër tij, me më shumë shpresë sesa Kamala për ta ndaluar ëndrrën e Trump për një mandat të tretë, ose për të ndaluar zv. Presidentin Vance. Ndërkohë, Los Angeles po digjet. / bota.al
Fraksion.com