AktualitetTë fundit

Florian Marku arrestohet sërish në Londër! Pritet ekstradimi

Pak ditë pasi u lirua në Gjermani, boksieri i njohur Florian Marku është arrestuar përsëri, këtë herë në Angli. Shqiptari është ndaluar për të njëjtën çështje që e kishte çuar në pranga edhe në Gjermani: një urdhër arrest ndërkombëtar i lëshuar nga Greqia.

Aktualisht, Marku ndodhet në një qeli në Angli, në pritje të ekstradimit në Greqi, ku pritet të përballet me një dënim të lidhur me një ngjarje të vitit 2010. Incidenti përfshinte një sherr me disa shtetas rusë në një klub nate.

Marku ka kryer më parë 1.5 vite burg për këtë çështje, por dënimi i tij total është 7 vite. Për shkak të rihapjes së rastit, ai pritet të vuajë edhe një pjesë tjetër të dënimit. Sipas burimeve pranë familjes së tij, 32-vjeçari duhet të qëndrojë rreth 6 muaj në burg për ta mbyllur përfundimisht këtë kapitull.

Boksieri shqiptar është një emër i njohur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në arenën ndërkombëtare, sidomos në Angli, ku këtë vit arriti kulmin e famës së tij. Megjithatë, më 31 mars, ai pësoi humbjen e parë të karrierës së tij në një përballje me Chris Congon në Londër, një boksier me reputacion ndërkombëtar.

Pas kësaj disfate, Marku kishte premtuar një rikthim për t’u hakmarrë, por tani arrestimi dhe procesi i ekstradimit do ta shtyjnë këtë plan për një kohë të pacaktuar.

 

Fraksion.com