“Do të jemi këtu…”, Opozita protestë para bashkisë së Tiranës
Opozita ka protestuar ditën e sotme për herë të 41-të përpara bashkisë së Tiranës, duke kërkuar largimin e kryetarit të bashkisë Erion Veliaj.
Anëtari i kryesisë së PD-së, Belind Këlliçi tha se do të protestojnë sërish, ndërsa thekoi se shqiptarët “sot paguajnë 80 mijë euro për një incenerator që nuk ekziston”.
“Kushdo që ka menduar se PD do të ndalet, përgjigjen e ka marrë sërish sot. Do të jemi këtu, njëlloj si Sali Berisha është sot mes nesh, njëlloj siç do të fitojmë zgjedhjet në 11 maj. Dhe po, ky është viti jonë, ky është viti i shqiptarëve”, u shpreh Këlliçi.
Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi e cilësoi kryebashkiakun Erion Veliaj si “armikun më të madh të qytetit” dhe akuzoi bashkinë e Tiranës se është kthyer në një strofull krimi e hajdutërie.
“Sot ky institucion është kthyer në një komisariat policie; është shndërruar në një strofull të krimit dhe të hajdutërisë më të madhe në këtë qytet. Tani ka mbetur vetëm një vendim pa u marrë: që Erion Veliaj të firmosë ndërtimin e bustit të Altin Dumanit tek plehrat e Sharrës, sepse është Altin Dumani ai që sot i siguron imunitet politik kryehajdutit të Tiranës, i cili çdo ditë në detyrë fut duart në xhepat e qytetarëve”, tha Blushi.
Blushi kritikoi SPAK-un për mbylljen e hetimeve për dosjen “5D” dhe për mungesën e veprimeve konkrete kundër Veliajt.
Fraksion.com