Berisha: Listën e kandidatëve për deputetë do ta bëjnë demokratët
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha tha gjatë një interviste televizive lista e deputetëve të PD do të zgjidhet nga demokratët përmes primareve që siç tha, do të nisin shumë shpejt.
“Do hapet gara për primaret, listën e deputetëve do ta bëjnë demokratët. Ajo që ne jemi betuar është që t’i kushtojë rëndësi votës së diasporës, janë gjysma e kombit. Nëse partia e tij e pranon pa dyshim do ta fusim Ilir Metën në listën e PD, ai është i burgosur politik”, tha Berisha.
Berisha tha se “PD është e hapur ndaj të gjitha forcave që vendosin që të bashkohen në një front të përbashkët”.
Berisha tha se vota e diasporës është çështje themelore e rëndësishme sa vetë Shqipëria, në kuptimin e numrit të votuesve.
“Janë bërë me dhjetëra takime në Greqi, Itali, Londër, SHBA. Nuk mjaftojnë vetëm takime, ne po përpiqemi ta bëjmë moto të çdo demokrati që voto vetë sill edhe dy vetë nga diaspora”, tha Berisha.
Duke folur për takimin me ish-deputetin e Partisë Demokratike Ervin Salianji në burgun e Fierit, Berisha tha se e pa të përkushtuar e në performancë pune duke lexuar e duke shkruar, por ajo që i bëri më shumë përshtypje ishte mungesa e ngrohjes.
“Ai shkruante, lexonte, lexonte shkruante dhe informohej me sa mundej, me kufizimet që ka. Se kanë shumë kufizime. Por problemi kryesor është që ishte pa ngrohje. Kjo është e papranueshme. Se një ndërtim të themi atë që është , është i Bashkimit Europian, është i standardeve, por betoni pa ngrohje, është një lloj torture fizike në vetvete. Sepse ngrohjen e ka por Ministria i lë jashtë funksionit dhe aty. Mua kjo më bëri përshtypje”,-tha Berisha.
Berisha tregoi po ashtu se është interesuar për ta takuar Metën, por i kanë thënë se ai ndodhet në paraburgim dhe nuk lejohen takime.
“Ilir Metën do shkoja 10 herë ta takoja unë, por këta pretendojnë se të paraburgosurit nuk mund të takohen. Këta më kanë thënë mua, se sigurisht unë jam interesuar, por më kanë informuar se ai është në paraburgim dhe nuk lejojnë takime”, u shpreh Berisha.
Fraksion.com