Shtetet e Bashkuara kërkojnë Grenlandën
Mimoza GOLIKJA
Çështja që ka ngritur presidenti i zgjedhur Donald Trump për të marrë kontrollin e Grenlandës vijnë pasi ai sinjalizoi interes për të marrë kontrollin e Kanalit të Panamasë dhe quajti Kanadanë “Shteti i 51-të”.
Ishulli më i madh në botë, Grenlanda ndodhet midis oqeanit Atlantik dhe Arktik dhe është 80% i mbuluar nga një shtresë akulli. Territori autonom ka rreth 56,000 banorë, ata janë shtetas danezdhe shumica e tyre indigjenë Inuit.
“Thyerja” e akujve të Grenlandës
Kur presidenti i sapozgjedhur Donald Trump mendoi për blerjen e Grenlandës nga Danimarka gjatë administratës së tij të parë, kryeministri danez atëherë, e quajti idenë e tij “absurde” dhe e kundërshtoi atë plotësisht. Ndërsa tani zyrtarët danezë po paralajmërohen nga aleatët dhe këshilltarët e Trump se ai është serioz dhe ata po peshojnë me kujdes se si të përgjigjen pa shkaktuar një këputje të madhe me një aleat të ngushtë dhe anëtar të NATO-s. “Ekosistemi që mbështet këtë ide është krejtësisht i ndryshëm tani” se sa ishte në vitin 2019, kur Trump e propozoi për herë të parë, tha një zyrtar i lartë danez për mediat ndërkombëtare. “Kjo duket shumë më serioze”, ka shtuar një tjetër.
Trump tha më 7 janar se “ne kemi nevojë për Grenlandën për qëllime të sigurisë kombëtare”.
“Njerëzit me të vërtetë as nuk e dinë nëse Danimarka ka ndonjë të drejtë ligjore për të, por nëse e kanë, duhet të heqin dorë, sepse ne kemi nevojë për sigurinë kombëtare,” tha Trump në një konferencë shtypi më 7 janar në Mar-a-Lago.
Edhe pse zyrtarët danezë nuk pajtohen domosdoshmërisht, ata tani po thonë se një bisedë e sinqertë rreth komenteve të Trump duhet të bëhet, në vend që të supozohet se ai nuk është serioz. “Kjo është mënyra e vetme për të shmangur një krizë”, thonë ata. Madje për këtë qëllim, ministri i Jashtëm danez Lars Lokke Rasmussen tha më 8 janar se vendi i tij dëshiron ta diskutojë më shumë këtë çështje me administratën e ardhshme Trump. “Ne jemi të hapur për një dialog me amerikanët se si ne mund të bashkëpunojmë edhe më ngushtë se ne për të siguruar që ambiciet amerikane të përmbushen”, u tha Rasmussen gazetarëve. Shtetet e Bashkuara kanë bashkëpunuar për një kohë të gjatë ngushtë me Danimarkën në Arktik dhe në Grenlandë, ku SHBA mban bazën e saj më veriore ushtarake.
Trump paralajmëroi më 7 janar gjithashtu se Danimarka mund të përballet me tarifa të larta nëse nuk heq dorë nga kontrolli i Grenlandës dhe nuk përjashtoi veprimet ushtarake për ta marrë atë me forcë. Por në të njëjtën kohë duket se komentet e Trump tashmë po krijojnë tension me partnerët dhe aleatët amerikanë. Ishte kryeministri i Grenlandës, Mute Egede, që tha më 7 janar se territori i tij nuk dëshiron të angazhohet në përplasjet politike midis SHBA-së dhe Danimarkës. “Grenlanda i përket popullit të Grenlandës”, tha ai. “E ardhmja jonë dhe lufta për pavarësi është puna jonë.”
Nga ana tjetër Franca dhe Gjermania gjithashtu u përgjigjën më 8 janar me kancelarin gjerman Olaf Scholz i cili tha se “parimi i paprekshmërisë së kufijve vlen për çdo vend, pavarësisht nëse është shumë i vogël apo shumë i fuqishëm”, dhe me ministrin e Jashtëm francez Jean-Noël Barrot se “natyrisht nuk ka dyshim se BE do të lejonte kombet e tjera të botës të sulmonin kufijtë e tij sovranë”.
Grenlanda vlerë e jashtëzakonshme gjeostrategjike për botën
Grenlanda është parë prej kohësh si kyçe për interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-së, veçanërisht për të zmbrapsur një sulm të mundshëm rus. Edhe gjatë mandatit të parë të Trump, zyrtarët e sigurisë kombëtare ishin veçanërisht të shqetësuar për aktivitetet e Kinës në Arktik, të cilat ishin një kërcënim relativisht i ri. Megjithatë, zyrtarët amerikanë dhe danezë thonë se “nuk e kuptojnë obsesionin e presidentit të ardhshëm për blerjen e Grenlandës, të cilën Trump e ka quajtur ‘një domosdoshmëri absolute’”, veçanërisht për shkak se SHBA-të tashmë e kanë një marrëveshje mbrojtjeje prej dekadash me territorin që i ka lejuar asaj të ketë një prani të rëndësishme ushtarake, përfshirë trupa dhe sisteme radari, në ishullin më të madh në botë.
Por një zyrtar i mbrojtjes tha se ekziston shqetësimi për përpjekjet e Grenlandës drejt pavarësisë nga Danimarka, një aleat i madh i SHBA-së dhe NATO-s dhe, nëse Grenlanda do të bëhej e pavarur, kjo mund ta bënte ishullin më të paqëndrueshëm politikisht, dhe më të prekshëm ndaj ndikimit rus dhe kinez. “Është gjithashtu e diskutueshme nëse Grenlanda do të ishte ende anëtare e NATO-s nëse shpallte pavarësinë”, tha ai për mediat ndërkombëtare. “Danimarka është një aleate e fortë e NATO-s, dhe për sa kohë që Grenlanda mbetet pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, siç është tani, dhe pjesë e NATO-s, atëherë ne nuk jemi më pak të sigurt në atë situatë.”.
Por marrëdhënia SHBA-Grenlandë bëhet më e “paqartë” nëse Grenlanda vendos të shpallë pavarësinë, tha eksperti i mbrojtjes.
Nga ana tjetër bashkëpunimi ushtarak i Kinës me Rusinë në Arktik është rritur vetëm gjatë pesë viteve të fundit. Kina dhe Rusia kryejnë rregullisht patrulla ajrore të përbashkëta dhe në tetor, roja bregdetare e Kinës pretendoi se ajo hyri në ujërat e Oqeanit Arktik për herë të parë me rusët. Pentagoni paralajmëroi në strategjinë e tij të Arktikut korrikun e kaluar se bashkëpunimi ka “potencialin për të ndryshuar pamjen e stabilitetit dhe kërcënimit të Arktikut”.
Ndryshimet klimatike gjithashtu po shkrijnë akullin dhe po hapin rrugë të reja ujore në Arktik, duke e bërë atë edhe më shumë një zonë të kontestuar për transportin detar dhe projeksionin e fuqisë ushtarake.
Megjithatë, marrja e administratës së sigurisë së Grenlandës do të ishte një hap tepër i madh për SHBA-në dhe do të kërkonte investime të reja, sipas ekspertëve. Marina Mbretërore Daneze është aktualisht përgjegjëse për patrullimin e ujërave përreth Grenlandës dhe për të thyer akullin rreth vijës së saj bregdetare, një përgjegjësi që SHBA-ja mund dhe duhet ta marrë përsipër me flotën e saj të vjetër të akullthyesve. Danimarka gjithashtu ndihmon në monitorimin e zonave të gjera të Grenlandës me patrulla me sajë të qenve. “Por çështja e ngritur nga Trump ka shtuar urgjencën në një diskutim tashmë të rëndësishëm rreth vlerës së Arktikut për interesat e sigurisë kombëtare të SHBA”. Kjo tregon se ky vend, “Grenlanda, ka një vlerë të jashtëzakonshme gjeostrategjike për botën.”.
Të gjithë të bashkuar, deri në Grenlandë
Edhe kryeministrja daneze Mette Frederiksen tha më 7 janar se e ardhmja e Grenlandës do të vendoset nga Grenlanda dhe i quajti Shtetet e Bashkuara aleati më i rëndësishëm i Danimarkës. “Grenlanda nuk është në shitje”, tha Frederiksen, duke shtuar se “ne duhet të qëndrojmë të qetë dhe t’u përmbahemi parimeve tona”. Ndërsa kryeministri i Groenlandës, Múte Egede, bëri thirrje për pavarësi nga Danimarka, në fjalimin e tij Vitit të Ri. Ai tha se kjo do të ishte një mënyrë që Grenlanda të çlirohej nga e kaluara e saj koloniale. Por nga ana tjetër Egede tha gjithashtu se nuk ka interes që Grenlanda të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara, duke këmbëngulur se ishulli nuk është në shitje. Pra Pavarësia është bërë një çështje kyçe përpara zgjedhjeve për parlamentin e Groenlandës, që nuk ka një datë të caktuar, por që duhet të ndodhë jo më vonë se 6 prilli.
Danimarka e kontrolloi ishullin nga fillimi i shekullit të 18-të deri në vitin 1979, kur Grenlanda fitoi vetëqeverisjen, e cila ushtrohet përmes parlamentit të saj, ndërsa Kopenhaga ushtron kontroll mbi politikën e jashtme dhe të mbrojtjes të Grenlandës. Pra ishulli tani vetëqeveris çështjet e tij lokale, siç thuhet edhe në faqen e qeverisë daneze, ku në vitin 2009, ajo miratoi Aktin e Vetëqeverisjes, por çështjet e mbrojtjes dhe politikës së jashtme janë ende në dorë të Danimarkës. Ndërsa një traktat me SHBA, për bazën amerikane, i jep Uashingtoni të drejtën për mbrojtjen e territorit, vendi nordik ruan gjithashtu Ishujt Faroe në Atlantikun e Veriut si një territor autonom.
Kurse Mbreti i Danimarkës Frederik X ka pohuar të drejtat e mbretërisë për Grenlandën, si dhe Ishujt Faroe, arkipelagut vetëqeverisës që ndodhet midis Islandës dhe Norvegjisë në Oqeanin Atlantik të Veriut,( gjithsesi fuqia e mbretit është kryesisht simbolike). Madje muajin e kaluar, mbreti me dekret mbretëror ndryshoi stemën e Danimarkës për të përfshirë fushat që përfaqësojnë Grenlandën dhe Ishujt Faroe. Grenlanda përfaqësohet nga një ari i argjendtë me gjuhë të kuqe. Njoftimi mbretëror vuri në dukje se që nga viti 1194, stema mbretërore “simbolizonte vizualisht legjitimitetin dhe sovranitetin e shtetit dhe të monarkut”. “Ne jemi të gjithë të bashkuar dhe secili prej nesh i përkushtuar për Mbretërinë e Danimarkës,” tha mbreti në fjalimin e tij të Vitit të Ri, duke shtuar, “deri në Grenlandë”, citohet nga mediat.
Kontrolli i Grenlandës një domosdoshmëri absolute, po sa kushton?
Ideja e blerjes së Grenlandës nga SHBA, e ndodhur afër Amerikës së Veriut, nuk është e re, me përpjekjet e hershme në fund të shekullit të 19-të, kurse Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump ka argumentuar se SHBA duhet të blejë Grenlandën që nga mandati i tij i parë në Shtëpinë e Bardhë. Madje ai anuloi edhe një udhëtim të planifikuar në Danimarkë atëherë (në gusht 2019 ) pasi kryeministri hodhi poshtë idenë e blerjes në atë kohë.
Ishulli, me 56,000 banorë është një territor autonom i Danimarkës, dhe qeveria daneze dhe autoritetet lokale po thonë se ishulli nuk është në shitje, megjithatë kjo nuk e pengoi presidentin e zgjedhur Trump të ringjallte edhe njëherë këtë çështje. “Për qëllime të Sigurisë Kombëtare dhe Lirisë në të gjithë botën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mendojnë se pronësia dhe kontrolli i Grenlandës është një domosdoshmëri absolute,” shkroi ai në Truth Social muajin e kaluar ndërsa shpalli zgjedhjen e tij për ambasadorin e SHBA-së në Danimarkë.
Groenlanda është rreth tre herë më e madhe se Teksasi dhe ndodhet në verilindje të Kanadasë. Danimarka sundoi ishullin për më shumë se 200 vjet, Shtetet e Bashkuara kanë bazën hapësinore Pituffik, të ndërtuar në fillim të Luftës së Ftohtë, një vend strategjik i rëndësishëm për misionet e mbrojtjes raketore dhe të mbikëqyrjes hapësinore.
Ishulli ka mbi 800,000 milje katrore dhe ka mjaft burime natyrore, si nafta dhe minerale të rralla të tokës. Në vitin 2019, senatori Tom Cotton shkroi se ka përfitime strategjike nga blerja e Grenlandës, duke vënë në dukje bazën detare të SHBA në ishull dhe disa përpjekje për të ndërtuar aeroporte. Megjithatë Shtetet e Bashkuara e kanë konsideruar blerjen e Grenlandës edhe në të kaluarën. Administrata e Presidentit Andrew Johnson autorizoi një raport në vitet 1860 duke gjetur se burimet natyrore të ishullit mund të ishin një investim i mirë, por ideja nuk u zhvillua më tej. Administrata e Presidentit Harry Truman gjithashtu ofroi 100 milionë dollarë për ishullin menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa raporte të tjera vlerësojnë se “për shkak të burimeve dhe industrive të tij natyrore, blerja e ishullit mund të kushtojë deri në 1.7 trilion dollarë.”.
Muajin e kaluar, qeveria daneze njoftoi shpenzime të reja të mbrojtjes për Grenlandën prej rreth 1.5 miliardë dollarë, ndërsa ministri i Mbrojtjes i Danimarkës tha se planet për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në ishull u bënë përpara thirrjeve të reja të Trump për të blerë Grenlandën.
Fraksion.com