Ulja e çmimit të energjisë, Rama: E para në historinë e 35 viteve
Bordi i Entit Rregullator të Energjisë (ERE) vendosi sot që çmimi për konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 700 kwh, do të jetë 8,5 lekë për kilovat.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë ulje si një arritje që është nga më domethënëset.
Rama u shpreh se, kjo është ulja e parë në historinë e këtyre 35 viteve të çmimit të energjisë elektrike.
Në një konferencë për shtyp së bashku me zëvendëskryeministren dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku për çmimin e ri të energjisë elektrike, Rama tha se, “ky është një fakt i cili na mbush patjetër me shumë krenari po të marrim parasysh se nga çfarë humnere e kemi nisur ngjitjen deri në këtë pikë”.
Nga ana tjetër, shtoi Rama, “po të marrim parasysh se ulja e çmimit të energjisë elektrike në kohën e sotme është në kundërtendencë të plotë me rajonin dhe me kontinentin ku jetojmë, ku çmimet e energjisë elektrike jo vetëm janë rritur në përgjithësi, por janë të kërcënuar nga rritje të tjera”.
Natyrisht, shtoi Rama, “kjo masë, është një masë më shumë sesa e mirëmenduar, e diskutuar gjerësisht në të gjitha nivelet me ekspertizën e brendshme dhe me ekspertizë ndërkombëtare. E bazuar në projeksionet e planit tonë strategjik për sovranitetin e plotë energjetik dhe kthimin e Shqipërisë në një eksportuese neto të energjisë brenda mandatit tonë të katërt dhe sigurisht duke pasur parasysh edhe parimin e shpallur botërisht të qeverisë sonë për të ndarë me qytetarët frytet e reformave të dhimbshme, frytet e përpjekjeve shumë të mundimshme në këto vite dhe frytet e një rritjeje ekonomike, që për vitin 2025 e parashohim në harkun e 4%, që është një shifër shumë domethënëse”, tha Rama.
Bordi i Entit Rregullator të Energjisë (ERE) vendosi sot që çmimi për konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 700 kwh, do të jetë 8,5 lekë për kilovat.
Për ato familje që konsumojnë më shumë se 700 kilovat, çmimi do të jetë 9,5 lekë për kilovat.
Ky vendim hyn në fuqi për periudhën 1 shkurt deri në 31 dhjetor 2025.
Fraksion.com