Rama: Së shpejti vizitë në Abu-Dabi për Shqipërinë si aktor i energjisë në nivel evropian
Kryeministri Edi Rama, në një konferencë për mediet, në prani edhe të zëvendëskryeministres, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha se pas vendimit të sotëm të Bordit të Entit Rregullator të Energjisë (ERE), një tjetër moment historik pritet të ndodhë në javët e ardhshme për Shqipërinë në sektorin energjetik.
“Së shpejti, në javën e ardhshme, së bashku me zëvendëskryeministren dhe një delegacion ne do të shkojmë në Abu-Dabi për një tjetër moment historik, jo të Shqipërisë si Shqipëri për konsumatorët e vetë, por të Shqipërisë si aktor i energjisë në nivel evropian.
Do ta shikoni mbas disa ditësh, por sot fokusohemi të ulja e çmimit të energjisë elektrike, ku do të ekspozojmë me fakte gjithçka për ata që janë nxirë dhe errësuar jetën e përditshme shqiptarëve në kuptimin fizik të fjalës. Bëjnë teori për sektorin energjetik, dhe siç do ta shikoni çmimet e energjisë elektrike i kanë pasur më të larta se çmimi që është sot, jo që do të jetë nga muaji shkurt.
Dhe i kanë rokanisur dhe i rokanisin kokën shqiptarëve në bashkëpunim me disa kanale dhe portale të llumit duke ju thënë që ne e rritëm çmimin. Ne nuk kemi rritur asgjë, kemi rritur Shqipërinë dhe do e rrisim Shqipërinë si një forcë në dispozicion të njerëzve, siç nuk ka qenë asnjëherë, sepse ja kishin zënë sytë, këmbët edhe duart”, u shpreh kryeministri Rama.
Bordi i Entit Rregullator të Energjisë (ERE) vendosi sot që çmimi për konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 700 kwh, do të jetë 8,5 lekë për kilovat.
Fraksion.com