AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

Rama: Brenda mandatit të katërt, Shqipëria eksportuese neto e energjisë

Kryeministri Edi Rama bëri sot me dije sot se Shqipëria 10% të prodhimit të energjisë e ka nga dielli.

Gjatë një konference për mediet me zëvendëskryeministren dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, kreu i qeverisë nënvizoi se brenda mandatit të katërt synohet që Shqipëria të jetë eksportuese neto e energjisë.

“Sot Shqipëria 10% të prodhimit të saj e ka nga dielli. Kur ne hymë në këtë fazë e kishte zero, sot e ka 10% dhe sot flasim për mbi 300 megavat prodhim që bazohet tek politika jonë e mbështetjes për diversfikimin e portofolit në funksion të sovranitetit të plotë energjetik të Shqipërisë dhe të kthimit të Shqipërisë në një eksportues neto të energjisë brenda mandatit të katërt”, tha Rama.

Rama shtoi më tej se qeveria ka objektiv që të arrijë 30% të prodhimit të energjisë totale nga burime të tjera përveç ujit.

“Më e rëndësishme se kjo sot në kanalin e investimeve që janë të pritshme bazuar në aplikimet e reja kemi 1300 megavat energji diellore, 1,3 giga, që do të thotë në total do të arrijmë objektivin e 30% të prodhimit të energjisë totale nga burime të tjera, përveç ujit, kam parasysh diellin, kam parasysh dhe 300 megavat energji ere që janë projekte tanimë të futura në proces”, tha Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se vendi ynë në vitet më të mira të prodhimit të energjisë mbulon vetëm 75% të nevojave, ndërsa synohet që brenda 3 viteve të arrihet sovraniteti i plotë energjetik.

“Ndryshe nga ata që thonë e thonë dhe që rrokanisin kokën e opinionit publik se ne kemi energji për vete dhe të tjerët, në fakt edhe në vitet më të mira të prodhimit, në mbulojmë vetëm 75% të nevojave, prandaj nuk jemi sovranë akoma, por ama sot jemi 3 vite larg sovranitetit të plotë energjetik, sepse 30% të volumit të përgjithshme që na duhet për të kompensuar, plus riciklimin e prodhimit hidrik përmes teknologjisë së re të pompimit që po e zbatojmë në Shqipëri si projekt inovativ, do të na bëjë që të jemi sovran”, tha Rama.

Rama shtoi më tej se në vitet jo të mira hidrike ne e kemi 65% kapacitetin total të prodhimit dhe se jemi të varur nga importi dhe çmimet e bursave.

“Sot u themi shqiptarëve me krenari që ne ia dolëm e t’u themi se ata që shpenzojnë, që janë 95%, deri në fashitën 700 kilovat, do të kenë ulje të çmimit të energjisë”, tha Rama.

 

Fraksion.com