Armë zjarri dhe drogë, tre të arrestuar në Tiranë, Durrës dhe Shkodër
Policia në Tiranë, Durrës dhe Shkodër ka arrestuar tre persona për vepra të ndryshme penale.
Në Tiranë u arrestua një 28-vjeçar, i cili shiste lëndë narkotike me doza. Sipas Policisë në rrugën “Bakalli” është arrestuar J. Sh., 28 vjeç i cili sapo ka konstatuar shërbimet e Policisë, ka shpërbërë një dozë lënde narkotike, të dyshuar kokainë.
“Gjatë kontrollit fizik ndaj 28-vjeçarit dhe kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur doza të lëndës së dyshuar narkotike kokainë dhe rreth 800 gramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis sativa, që dyshohet se i posedonte me qëllim shitjen”, njofton Policia.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Durrës kanë arrestuar shtetasin A. K., 25 vjeç, banues në Durrës.
Siç njofton Policia, ky shtetas ishte shpallur në kërkim në muajin shtator të vitit 2023 për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi dyshohet se shiste lëndë narkotike në zonën e Plazhit dhe në lokale nate në qytetin e Durrësit.
Ndërsa në Shkodër u arrestua një 56-vjeçar, pasi qarkullonte me armë zjarri.
“Në fshatin “Vrakë”, shërbimet e Patrullës së Përgjithshme kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin A.C., dhe gjatë kontrollit i kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri kallashnikov me krehër me municion luftarak dhe një mjet prerës (thikë)”, njofton Policia.
Vijon puna në bashkëpunim me Prokurorinë për zbardhjen e qëllimit që 56-vjeçari lëvizte i armatosur.
Fraksion.com