AktualitetTë fundit

Volrë: Ndalohet lundrimi i anijeve të vogla dhe të peshkimit nga moti i keq

Kapiteneria e Portit të Vlorës njoftoi sot ndalimin e lundrimit për anijet për shkak të motit të keq që ka sjellë dallgë deri në dy metra. Megjithatë bëhet me dije se do të lejohet lundrimi i trageteve.

Sipas njoftimit të Kapitenerisë së portit të Vlorës, “në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, gjatë datës 07.01.2025 duke filluar nga ora 08:00 datë 07.01.2025 kushtet hidrometeorologjike do të jenë në drejtimin Jug-Juglindje në forcën deri 6-7 bft me shpejtësi ere deri 15-20 m/s dhe lartësi dallge nga 1,50 deri 2 metra.

Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje e gatishmërisë së ekuipazhit në mjetet lundruese”, njofton Kapiteneria.

Sipas njoftimit “është ndaluar pajisja me leje-nisje i mjeteve të vogla lundruese dhe ato të peshkimit të cilat operojnë në det të hapur, duke filluar nga ora 08:00 datë 07.01.2024. Të gjithë drejtuesit e mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit që operojnë brenda dhe jashtë Gjirit të Vlorës të marrin në konsideratë kushtet hidrometeorologjike dhe marrjen e masave për sigurimin e tyre. Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse”.

“Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas orës 10:00 të datës 08.01.2025”, përfundon njoftimi i Kapitenerisë Vlorë.

 

Fraksion.com