AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

Tiranë-Durrës, Balluku: Shtimi i 4 korsive e kthen në autostradë të kategorisë “A”

Zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës me nga dy korsi në secilën anë, ku njëra do të shërbejë për emergjencat, do ta kthejë atë nga autostradë e kategorisë “B”, në autostradë të kategorisë “A”.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se ky aks do të kalojë në kategorinë “A” me zgjerimin e korsive dhe shtimin e limitit të shpejtësisë.

“Tiranë-Durrësi do të bëhet autostradë gjithashtu e kategorisë “A”, sepse Tiranë-Durrësi sot është një autostradë e kategorisë “B”, me dy korsi. Ndërkohë punimet janë duke ecur shumë mirë. Deri tani është kryer 25% e volumit të punimeve”, u shpreh Balluku në një nga emisionet e mëngjesit.

Sipas saj, po punohet për hapjen dhe mbushjen e trupit të rrugës ku do të shtohen dy korsi, nga një korsi në çdo krah, korsi të plota aksesi, nga 3,75 metra.

“Do të shtohet edhe një korsi e katërt në të dy krahët, që është korsia e emergjencës, 3 metra. Shtohet me 4 korsi e gjithë autostrada, dy në të dyja krahët, duke çuar kështu në një autostradë të kategorisë “A” dhe duke i dhënë mundësinë për shpejtësi deri në 130 km dhe duke e sjellë në parametra me të gjitha autostradat e reja që po ndërtojmë”, u shpreh Balluku.

Segmenti i parë ku po ndërhyhet është 6 km, nga Kthesa e Kamzës deri në Mbikalimin e Rinasit.

Përveç zgjerimit me dy korsi, i gjithë trupi i rrugës do të ribëhet me shtresa rrugore dhe asfaltike, për shkak se tashmë kjo rrugë ka mbaruar ciklin e jetës.

Ajo ishte parashikuar për një fluks makinash prej 40 mijë mjetesh në 24 orë, ndërsa tani në pikun e fluksit shkon edhe 94 mijë mjete. Rehabilitimi dhe zgjerimi i të gjithë rrugës kushton 250 milionë euro.

 

Fraksion.com