AktualitetBota+Të fundit

Zzbulohet pasuria marramendëse e kryeministres Paetongtarn Shinawatra, 38-vjeçarja deklaron se zotëron 400 milionë euro

Kryeministrja e Tajlandës Paetongtarn Shinawatra ka zbuluar një pasuri personale me vlerë pothuajse 400 milionë euro në deklaratën e saj financiare, e publikuar sot.

Kryeministrja, e cila mori detyrën në gusht, duhet të deklarojë në Komisionin Kombëtar Kundër Korrupsionit (NACC) pasuritë e saj, të cilat arrijnë në 13.8 miliardë baht, sipas një dokumenti të publikuar në media.

Investimet e saj të ndryshme arrijnë në 11 miliardë baht (mbi 310 milionë euro), ndërsa ka një miliard baht (mbi 28 milionë euro) në para të gatshme, thuhet në deklaratën e saj.

Paetongtarn Shinawatra deklaroi gjithashtu detyrime prej gati pesë miliardë baht (mbi 141 milionë euro), sipas dokumentit NACC të publikuar nga mediat tajlandeze, duke i dhënë vlerën e saj neto në 8.9 miliardë baht (mbi 251 milionë euro).

Babai i saj, Thaksin Shinawatra, bleu klubin e futbollit Manchester City në vitin 2007 pasi ai kishte shërbyer edhe si kryeministër i Tajlandës dhe aktualisht ka një pasuri prej 2.1 miliardë dollarësh, sipas Forbes. Ai është njeriu i dhjetë më i pasur në vendin e tij.

Thaksin Shinawatra përdori pasurinë e tij, të ndërtuar nga perandoria e tij e telekomunikacionit Shin Corp, për të hyrë në politikë dhe familja e tij ruajti ndikimin e saj edhe gjatë viteve në mërgim që pasuan rrëzimin e tij në një grusht shteti të shtatorit 2006.

 

Fraksion.com