AktualitetPolitikëTë fundit

Vengu: 13-31 janar, aplikimet për t’u bërë pjesë e Forcave Speciale

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu tha sot se “rritja e interesit për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura është një tregues i qartë i investimeve që qeveria shqiptare po bën në kapacitetet njerëzore”.

Në një postim në rrjetet sociale, Vengu tha se “nga data 13-31 janar 2025 të gjitha njësitë do të informohen për kërkesat dhe përfitimet e anëtarësimit në Forcat Speciale dhe sinjalet janë pozitive”.

“Interesi për t’u bërë pjesë e Forcave Speciale është rritur ndjeshëm, kryesisht nga oficerët e rinj të cilët po ndjekin Kursin Bazë të Oficerit, i cili përfundon më 20 mars 2025 me më shumë se 40 oficerë, ushtarë nënoficerë kanë shprehur interes për të kaluar në radhët e Forcave Speciale”, theksoi Vengu.

Ministri Vengu u shpreh se ky është një moment i rëndësishëm në transformimin rrënjësor të mendësisë dhe rritjes profesionale dhe sasiore të një prej reparteve më të rëndësishëm të Forcave të Armatosura.

Vengu vuri në dukje se kapitali njerëzor dhe modernizimi i FA do të vazhdojnë të jenë prioritetet kryesore të Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2025.

Fraksion.com