Kush është gjyqtari që i riktheu Berishës masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’! Engert Pëllumbi dënoi dhe Saimir Tahirin
Apeli i GJKKO ka rikthyer këtë të enjte masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’ për ish-kryeministrin Sali Berisha, në hetim për aferën e privatizimit të ish-kompleksit ‘Partizani’.
Gjyqtari i Apelit të Posaçëm, Engert Pëllumbi vendosi ndaj Berishës masën ‘detyrim paraqitjeje’ 2 herë në muaj para SPAK.
Gjyqtari Engert Pëllumbi u përball me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit në Tetor të 2021 dhe e kaloi me sukses. Pëllumbi rezultoi i pastër në të treja kriteret e rivlerësimit. Në bazë të hetimit administrativ nuk u konstatuan asnjë shkelje. KPK votoi unanimisht pro konfirmimit të tij në detyrë.
Më 4 shkurt të vitit 2022, trupa gjykuese e komanduar nga KLGJ për të shpallur vendimin për ish-ministrin Saimir Tahiri, e kryesuar nga Engert Pëllumbi dhe anëtarë Igerta Hysi dhe Florian Kalaja, dha dënimin me 3 vite e 4 muaj burg dhe për 3 vite të tjera të mos ushtrojë asnjë funksion publik për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Gjithashtu një tjetër detaj interesant është fakti që Tahiri dhe gjyqtari Pëllumbi kanë pasur një përplasje dikur ku ish ministri Brendshëm ka dalë kundër një vendimi të dhënë nga gjyqtari për masën e sigurisë së një të dyshuari për vrasje.
Ndërkaq Engert Pëllumbi është kundërshtuar për herë të parë publikisht në vitin 2011, kur ai gjobiti për shpifje nënkryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Ermonela Felajn për një deklaratë të saj ndaj një kompanie. Vendimi i Gjykatës së Tiranës, me gjyqtar Engert Pëllumbi, i dhënë në datën 24 maj 2011 e gjobit me 10 milionë lekë të vjetra deputeten e PS-së.
Fraksion.com