Kruja turizëm kulturor gjithëvjetor, Hafizi për ATSH-në: Rreth 190 mijë vizitorë në qendrën muzeore në 2024
Qendra muzeore e Krujës ka shënuar një fluks të lartë turistësh vendas e të huaj në vitin që lamë pas.
Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Muzeu Etnografik dhe Pazari karakteristik i Krujës kanë tërhequr mijëra turistë nga janari, deri në ditën e fundit të 2024-ës.
Drejtori i Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeut Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se “nga 1 janari deri më 31 dhjetor qendra muzeore e Krujës është vizituar nga rreth 190 mijë vizitorë, 60% më shumë se viti i kaluar në Muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu””.
“Vetëm të dielën e fundit të dhjetorit Qendra Muzeore e Krujës u vizitua nga 900 vizitorë, shqiptarë dhe të huaj”, tha Hafizi.
Grupe të organizuara turistësh nga Bullgaria, Sllovenia, Kroacia, Italia dhe Spanja vizituan muzeumet e Krujës gjatë periudhës së festave të fundvitit.
Hafizi bën të ditur se “Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeu Etnografik u hapën ditën e sotme, ku kemi vizitorë shqiptarë dhe të huaj, por jo grupe të organizuara”.
“Shpresojmë që këtë vit të kemi një numër më të lartë vizitorësh vendas dhe të huaj, në Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Muzeun Etnografik dhe Pazarin karakteristik të Krujës”, tha Hafizi.
Kalaja e Krujës e ndërtuar në shekujt V-VI, së bashku me Muzeun Kombëtar që ndodhet brenda saj, përfaqëson një nga monumentet arkitekturore më të çmuara në Shqipëri.
Muzeu përkujton jetën dhe luftërat e heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ndërsa Pazari karakteristik i Krujës është ndër më të njohurit në vend, me rrugicat e ngushta me kalldrëm, ku ofrohen punime artizanale tradicionale.
Fraksion.com