Bashkëpunim me policinë greke, kapet 47-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar
Policia e Shtetit ka zhvilluar një operacion të përbashkët ndërkombëtar për kapjen e të kërkuarve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Në këtë kuadër është finalizuar operacioni i koduar “IN TIME” në bashkëpunim me Policinë greke.
Në Athinë është kapur dhe vënë në pranga i shumëkërkuari Jani Alia, 47 vjeç, i dënuar me burgim të përjetshëm.
Departamenti i Policisë Kriminale, pas punës gjurmuese dhe sigurimit të informacionit, identifikoi vendndodhjen e Jani Alia, i cili fshihej në Athinë.
Falë bashkëpunimit të ngushtë dhe shkëmbimit të informacionit mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve greke, Policia greke finalizoi operacionin “IN TIME”, duke arrestuar këtë shtetas.
Interpol Tirana, në koordinim me Interpol Athinën, po vijon procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për të çuar përpara bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim.
Fraksion.com