Rama: Bashkëpunimi me SPAK e ka çuar punën e Policisë së Shtetit në nivel krejt tjetër
Në fjalën e tij të fundvitit me gazetarët kryeministri Edi Rama tha sot se Policia e Shtetit fale edhe bashkëpunimit me SPAK është sot në një nivel krejt tjetër për sa i përket performancës. Kreu i qeverisë theksoi se lidershipi i ri i gjithë Policisë së Shtetit do të rrisë performancën e uniformave blu.
“Ka pasur një rinovim të thellë të gjithë lidershipit të gjithë Policisë së Shtetit si rezultat i ligjit të ri për Policinë e Shtetit dhe është një proces që ka përfshirë gjithë piramidën nga drejtuesi më i lartë te shefat e komisariateve”, u shpreh Rama.
“Sot kemi faktikisht një lidership të Policisë së Shtetit më të ri në moshë më të motivuar edhe për shkak se janë të gjithë të promovuar në pozicione që nuk i kanë pasur më parë dhe të shikojmë si do të performojnë. Kam bindje se Policia do ta çojë në një shkallë tjetër performancën e vet, por që tanimë është detyrimisht e matshme me standardet e BE-së. Kjo është arsyeja që duhet bërë edhe më shumë. Nuk po hyj në të dhënat e shumta këtu. Një gjë dua të nënvizoj që falë edhe bashkëpunimit me SPAK dhe falë punës intensive të bërë sot jemi në një nivel krejt tjetër”, tha Rama.
Rama tha se po flet me fakte në raport me forcën që ka fituar shteti dhe terrenin që ka humbur krimi i organizuar ashtu sikundër, shtoi kreu i qeverisë “jemi komplet në një nivel tjetër sa i përket rezultateve të luftës kundër trafiqeve dhe drogës”.
Fraksion.com