Nga sot Unaza e Madhe e Tiranës e gjitha e hapur për qarkullim
Nga sot, Unaza e Madhe e Tiranës është e gjitha e hapur për qarkullimin e mjeteve.
Kryeministri Edi Rama si dhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishin të pranishëm në ceremoninë e hapjes së Unazës së Madhe të Tiranës, një projekt prej 28.7 kilometrash i gjatë, që lidh kryeqytetin me të gjitha rrugët dalëse kombëtare.
Unaza e Madhe e Tiranës është projekti më i madh infrastrukturor në kryeqytet, i finalizuar brenda afateve dhe do të çlirojë Tiranën nga trafiku si dhe do të ketë një ndikim të rëndësishëm në ekonomi, pasi vlera e pasurive të paluajtshme në këtë zonë është dyfishuar, duke shkuar në 1200 euro m2, nga 600 që ishte para nisjes së ndërtimit të kësaj autostrade.
“Na është dashur të spostojmë mbi 654 ndërtesa. Tashmë është plotësisht e përfunduar. Kemi ende disa momente, janë detaje të vogla që përfundojnë brenda janarit”, deklaroi Balluku.
Zëvendëskryeministrja Balluku tha se e gjithë Unaza është e kategorisë “A”, urbane me ndriçim apo dhe zona të gjelbra.
Sipas saj, në nyjen e Lotit 1, ku lidhet ish-sheshi “Shqiponja” me zonën e Paskuqanit janë të hapur të gjitha tunelet. Në këtë nyje kalon edhe hekurudha Tiranë-Durrës dhe degëzimi me Rinasin.
Po ashtu, Balluku informoi se për ndërtimin e kësaj autostrade është nevojitur spostimi i linjave të energjisë elektrike.
Unaza e Madhe e Tiranës ka një gjatësi prej 28.7 kilometrash. Ndërtimi i saj pritet të lehtësojë trafikun si dhe të shkurtojë distancat. Përmes saj do të bëhet e mundur shpërndarja e trafikut. Gjithashtu ndërtimi i kësaj vepre ka ndikuar në mënyrë të ndjeshme në zhvillimin urban të zonave që ndodhen përgjatë aksit.
Unaza Veriore, segmenti që hapet sot, ishte e ndarë në 7 lote. Pjesë e projektit janë disa vepra arti, 4 kryqëzime në disnivel, 1 viadukt me gjatësi 420 m, 2 ura mbi lumin e Tiranës me gjatësi 280 dhe 130 m.
Janë ndërtuar gjithashtu mure mbajtëse dhe pritëse, si dhe janë realizuar punime për mbrojtjen lumore me pilota, punime për spostimin e linjave të kanalizimeve, rrjetit të ujësjellësit dhe linjat e tensionit të mesëm dhe të lartë.
Janë realizuar gjithashtu sistemi i ndriçimit rrugor, sinjalistikës dhe sigurisë rrugore si dhe brezat e gjelbëruar.
Fraksion.com