AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

Balluku: Kemi nisur negociatat për financimin e ndërtimit të bajpasit të Elbasanit

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se projekti për ndërtimin e bajpasit të Ebasanit është gati dhe se kanë nisur negociatat me bankat e huaja për gjetjen e financimit.

Në ceremoninë për hapjen e Unazës Veriore të Tiranës, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, Balluku informoi se ndërtimi i bajpasit të Elbasanit do të lehtësojë trafikun e rënduar në një nga korridoret më të rëndësishme të lëvizjes ndërkombëtare.

“Kemi gati studimin dhe kemi nisur fazën e negociatave për kredi me bankat e huaja. Mbetet një nga sfidat e mëdha për t’u zgjidhur, pasi Unaza do t’i japë frymëmarrje Tiranës dhe duhen parashikuar edhe hyrjet dhe daljet, duke qenë se fluksi i trafikut nuk do të ketë të bëjë vetëm me lëvizjet rreth Unazës, por edhe hyrje-daljet në qytet”, deklaroi Balluku.

Një vit më parë, me një vlerë prej 81.46 milionë lekë, Autoriteti Rrugor Shqiptar shpalli kompaninë fituese për hartimin e projektit të bajpasit të Elbasanit. Në garë morën pjesë 6 kompani, ndërkohë që fituese është shpallur kompania “A & E ENGINEERING“.

Bypass-i i Elbasanit do të nisë në zonën ku përfundon autostrada Tiranë-Elbasan dhe do të mbarojë në dalje të Elbasanit, në pjesën lindore, ku do të bashkohet me rrugën Elbasan-Përrenjas, e cila gjithashtu po i nënshtrohet një tjetër investimi për zgjerimin e saj.

Në studimin e saj për gjurmën e bajpasit, ARRSH ka marrë parasysh Planin e Përgjithshëm vendor të Bashkisë së Elbasanit. Rruga e re do të ketë dy korsi, me gjerësi 3.75 metra secila, ku gjithashtu është parashikuar edhe korsia e emergjencës.

 

Fraksion.com