AktualitetPolitikëTë fundit

“Përparimi i bujqësisë”, Tabaku: Korrupsioni është pesticidi më i rrezikshëm i ekonomisë shqiptare

Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku në një postim në rrjetet sociale ka ngritur shqetësimin për bllokimin e mandarinave shqiptare në pikat kufitare kur tentohet eksporti i saj.

Sipas Tabaku, ndalimi i mandarinave është bërë për shkak të përdorimit të pesticideve të ndaluara, larg standardeve dhe normave të Bashkimit Evropian.

Tabaku theksoi se ky është një tjetër tregues i paaftësisë së qeverisë për të menaxhuar sektorin e bujqësisë dhe për të garantuar standardet bazë të sigurisë ushqimore. Ajo shtoi se fondet për sigurinë ushqimore janë ulur me 145 milionë lekë vetëm në shtator të vitit të kaluar, duke krijuar një boshllëk të madh në kontrollin e produkteve bujqësore që konsumohen brenda dhe eksportohen jashtë vendit.

“Siguria ushqimore mungon, kontrolli mungon dhe fondet e bujqësisë janë zvogëluar ndjeshëm. Si pasojë, kemi produkte që nuk shiten në tregjet evropiane, jo vetëm për shkak të mungesës së kontrollit, por edhe për shkak të dështimit të politikave të qeverisë,” u shpreh Tabaku në një video mesazh.

Ajo shtoi se ulja e fondeve për bujqësinë dhe dështimi i skemave mbështetëse, si ajo e TVSH-së dhe fondet IPARD, kanë bërë që produktet shqiptare të mos konkurrojnë në tregje ndërkombëtare. Tabaku e konsideroi këtë situatë si pasojë direkte të korrupsionit dhe paaftësisë në menaxhimin e fondeve shtetërore.

“Korrupsioni është pesticidi më i rrezikshëm i ekonomisë shqiptare,” deklaroi ajo, duke nënvizuar se përparimi i bujqësisë duhet të jetë prioritet kombëtar për të mbështetur mbi 300 mijë familje shqiptare që jetojnë nga ky sektor.

Për Tabakun, zgjidhja është e qartë: rritja e fondeve për sigurinë ushqimore, forcimi i kontrolleve dhe krijimi i një plani konkret për të mbështetur fermerët shqiptarë që të sjellin në treg produkte të cilësisë së lartë.

 

Fraksion.com