Berisha uron Krishtlindjen në Katedralen Katolike: Lindja e Krishtit, ngjarja më e madhe në historinë e njerëzimit
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një vizitë urimi me rastin e festës së Krishtlindjes në Katedralen Katolike të Shën Palit në Tiranë.
Në vizitën e tij, Berisha i përcolli Arqipeshkvit, Arjan Doda urimet më të mira për Krishtlindje të gëzuara për të gjithë besimtarët katolikë.
“Uroj të gjithë besimtarët katolikë, por edhe të gjithë besimtarët e Zotit se kjo është një ditë e shenjtë për çdo besimtar. Dita në të cilën lindi hyji, burri që me jetën dhe mendimet e tij bëri më shumë se kushdo tjetër për moralin e qytetërimit perëndimor.
Aleanca e shqiptarëve me Vatikanin është aleanca më e hershme, më jetëgjatë në historinë e kombit shqiptar. Pata një bisedë shumë të përzemërt, të hapur dhe njëherë uroj që magjia e kësaj dite të shndërrohet në frymëzim, në forcë dhe mirësi për të gjithë besimtarët e Zotit”, ishte urimi i Berishës.
Besimtarët e krishterë, katolikë dhe ortodoksë festojnë sot Krishtlindjen, ditën e shënuar në kalendarin e festave fetare, ditën e lindjes së Jezu Krishtit, ndërsa katolikët mbajnë meshën mesnatën e sotme ndërsa besimtarët ortodoksë mblidhen në kishë ditën e nesërme, për t’ia lënë vendin më pas festimeve familjare.