“Medalje të Arta” për nxënësit ekselentë, Rama: Keni zgjedhur të sfidoni vështirësitë
Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në ceremoninë e dhënies së “Medaljes së Artë” për 188 nxënës ekselentë.
Në fjalën e tij, Rama i cilësoi si heronj nxënësit ekselentë dhe si shëmbëlltyra e suksesit të gjatë.
“Ju premtoj që nuk do t’ju jap asnjë këshillë, se e kujtoj gjithmonë kohën kur kam qenë sa ju dhe kur gjendesha nën bombardimin e prindërve, flisja me vete, edhe i thoja vetes, betohu që kurrë nuk do ta harrosh që kur të bëhesh si këta nuk do të bësh si këta dhe nuk do të japësh këshilla të pakërkuara”, iu drejtua Rama nxënësve.
Rama u shpreh se, “është nder i veçantë të kesh të mbledhur brenda katër mureve të gjithë jakën e ekselencës dhe të kesh fatin që t’i shohësh në sy të gjithë heronjtë e një kohe kur nuk është e lehtë të jesh hero pozitiv. Dhe kur hapësira e komunikimit falë edhe rrjeteve sociale është e mbushur me heronj negativë”.
Rama u shpreh i bindur se, “ndër ju ka vajza, ka djem, të cilët janë rritur në familje me halle. Jam i bindur që ndër ju ka vajza, ka djem që mund të kenë vetëm njërin nga prindërit në punë. Jam i bindur që ndër ju ka vajza, ka djem që i kanë marrë të gjitha 10-at duke pasur edhe një alternativë tjetër, alternativën për të gjetur pa asnjë vështirësi të gjitha justifikimet e mundshme për të mos qenë në majë dhe për të mos qëndruar në majë. Jam i bindur që ndër ju ka vajza, ka djem që mund të kenë pasur nevojë të ecin çdo mëngjes gjatë në këmbë për të shkuar në shkollë dhe pastaj të ecin gjatë në këmbë për t’u kthyer nga shkolla”.
Por, shtoi kreu i qeverisë, “ja që pavarësisht këtyre vështirësive të përditshme, pavarësisht mundësisë për të thënë “s’e bëj dot këtë punë, s’e kam këtë problem, apo atë problem” dhe për të qenë plotësisht të justifikuar ju keni zgjedhur rrugën më të vështirë. Keni zgjedhur që t’i sfidoni të gjithë vështirësitë objektive me të cilat jeni hasur, jo për fajin tuaj”.
“Sot jeni këtu si shëmbëlltyra e suksesit të gjatë. Nuk është një provim, nuk janë dy, jo tre, është një jetë e tërë në shkollë. Është një jetë e tërë e kaluar duke ngjitur të përpjetën, pavarësisht pengesave dhe vështirësive, që ju ka bërë që sot këtu të jeni në majë. Dhe, natyrisht, maja të tjera janë përpara jush për t’u ngjitur”, tha Rama.
Për këtë arsye, shtoi Rama, “ju jeni heronj për mua. Për këtë arsye, ky i dhënies së medaljeve të arta është i vetmi moment gjatë gjithë punës në 365 ditë kur mua më duket vetja më i shkurtër sesa ata që kam përballë”.
“Besojeni që ju kam zili, sepse ndërkohë e gjithë bota është aty përpara jush që ju ta zotëroni. Keni të gjithë kohën e nevojshme përpara dhe ndërkohë ndryshe nga unë në moshën tuaj, keni gjithçka në dispozicion nëse doni që dija juaj të jetë sa bota. Nuk ju mungojnë rrugët për të shkuar në çdo cep të dijes që ka bota, falë teknologjisë; Nuk ju mungojnë autorët që doni të takoni, me të cilët doni të bëni shoqëri; Nuk ju mungojnë mjetet për të qenë më të mirët në botë dhe ju po bëni këtë. Vazhdoni të bëni këtë. Kjo është e vetmja këshillë,, që s’është as këshillë në fakt, por është thjesht inkurajim”, iu drejtua Rama nxënësve.
“Mos e harroni kurrë, – shtoi Rama, – që një ëndërr që e shikon me sy hapur, përderisa e shikon me sy hapur ti mund ta arrish, por mes teje dhe asaj ëndrre është një det që ti duhet të jesh i gatshëm ta kalosh në këmbë pa u zmbrapsur nga dallgët, pa u dorëzuar kur furtunat i ngrenë dallgët aq lart, sa gati të mbysin, pa u tunduar që nga lodhja të kthehesh prapë në breg. Dhe nëse je i gatshëm t’i bësh të gjitha ato sakrifica që ajo ëndërr kërkon, sepse sa më e madhe të jetë, aq më shumë kërkon sakrifica nga ty, ti do ta arrish, kjo është e sigurt dhe kjo është jeta e shumë yjeve sot që ju i shihni dhe i admironi në të gjitha fushat. Asnjë nga ata yje nuk ka shkëlqyer vetvetiu dhe nuk ka shkëlqyer, sepse thjesht fati e ka dashur të shkëlqejë, sepse fati është karakter i njeriut.”
Fraksion.com