AktualitetPolitikëTë fundit

Tensione në protestën e opozitës, mbi 2 orë të bllokuara rrugët kryesore në Tiranë

ATSH/ Prej gati dy orësh opozita është në protestë, duke bllokuar qarkullimin e mjeteve në pesë kryqëzime kryesore të Tiranës.

Protesta nisi në orën 17:00 dhe pritet të zgjasë gati tre orës sipas njoftimit të bërë nga Partia Demokratike. Anëtarët e kryesisë dhe deputetët e PD, kanë bllokuar qarkullimin tek Zogu i Zi, Ura te Xhamia në rrugën e Elbasanit, sheshi Uilson, Pallati me Shigjeta dhe pranë bashkisë Tiranë.

Fillimisht, pas bllokimit të akseve rrugore, përplasjet e para janë shquar tek pallati me Shigjeta. Një zonjë u kërkoi protestuesve të lejonin qarkullimin e mjeteve, pasi kishte fëmijën e sëmurë dhe po e dërgonte në spital. Policia ka ndërhyrë menjëherë, duke drejtuar automjetet për të lëvizur në të tjera drejtime, duke i dhënë zgjidhje momentalisht situatës.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi nga sheshi “Uillson”, ku sëbashku me disa deputetë të tjerë ka bllokuar rrugën, ndërsa i ka kërkuar Policisë të respektoj tubimin. “Unë në  rrugë do të protestoj. Nuk do të protestoj tek ballkoni i shtëpisë”, u shpreh Bardhi. “Ju si punonjës policie duhet të garantoni të drejtën tonë për të protestuar. Madje duhet të protestoni edhe ju”, vijoi Bardhi.

Policia prej nisjes së tubimit, ka kërkuar lirimin e akseve rrugore, duke i kujtuar protestuesve se është vepër penale. “Lironi qarkullimin rrugor, është vepër penale”, ishin thirrjet e uniformave blu drejtuar protestuesve.

Por thirrjet nuk janë dëgjuar nga protestuesit dhe pas më shumë se 1 orë e 30 minuta tubim policia ka tentuar që të lirojë qarkullimin e mjeteve, por është hasur me rezistencën e protestuesve, të cilët janë përplasur edhe fizikisht me forcat blu.

Kreu i grupit parlamentar në Partinë Demokratike Gazment Bardhi nga sheshi “Uilson” ku ishte së bashku me deputetë dhe anëtarë të tjerë të opozitës, tha se “ka një agresivitet të shtuar të punonjës policisë ndaj qytetarëve.

“Është e pajustifikueshme kjo dhunë. Sa herë thërrasim Rama Ik, irritohet policia. Veprimet janë tërësisht kaotike. Janë veprime që nuk udhëhiqen nga ligji. Ja edhe tani që ne kemi deklarata, policia na rrethon ne dhe rrethon median”, tha Bardhi.

Lidhur me situatën ka reaguar dhe Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho. “Jemi në të drejtën tonë kushtetuese për të protestuar”, tha Xhixho.

Për herë të parë pas gati një viti, Sali Berisha, është shfaqur në terren mes protestuesve për të udhëhequr protestën e opozitës. Kryedemokrati nënvizoi se nuk do të tërhiqen deri në realizimin e objektivave të tyre që janë qeveri teknike dhe zgjedhje të lira.

Kryedemokrati ka kërkuar sërish krijimin e qeverisë teknike, për të cilën tha se duhet të vendoset në Kushtetutë. Ai mori si shembull pozitiv Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut që e kanë të sanksionuar.

 

Fraksion.com